A pati “komplot” kundër LPK-së? (14)

14 dhjetor 2023 | 11:53

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (14)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së katërmbëdhjetë, ka folur rreth asaj nëse ka pasur “komplot” kundër LPK-së. Ai ka treguar se drejtues të Degës së LPK-së Jashtë Vendit në njërën nga mbledhjet e mbajtura në muajin mars 1994 vendosën që kompetencat e drejtimit të organizatës t’i kalonin kësaj dege të LPK-së. Sipas tij, që nga ajo kohë e deri në çlirimin e Kosovës, strukturat e LPK-së brenda vendit u shndërruan në struktura të UÇK-së dhe nuk mund të konsolidoheshin njëkohësisht edhe si strukturë politike udhëheqëse. Në këtë intervistë Bardhyl Mahmuti ka theksuar se nuk është bërë asnjëherë fjalë për një Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së në kuptimin e drejtimit të forcave të armatosura, por për një strukturë që do ta ketë të drejtën të flasë në emër të forcave të armatosura.

“Epoka e re”: Mendoj se ka nevojë të sqarohet lexuesi si qëndron puna e përfaqësimit të LPK-së në takimet me bartësit e institucioneve shtetërore të Shqipërisë. A përfaqësonte delegacioni juaj organizatën apo ishit vetëm kryesi e Degës së LPK-së Jashtë Vendit?
Bardhyl Mahmuti: Edhe pse me statutin e LPK-së Dega Jashtë Vendit kishte kompetenca të njëjta me një Këshill të Rrethit të LPK-së brenda vendit, duke pasur parasysh pasojat e arrestimeve të njëpasnjëshme në të kaluarën, LPK-ja futi një normë statutare që në rast të pamundësimit të veprimtarisë së organeve drejtuese në Kosovë, kompetencat i barteshin Degës së saj Jashtë Vendit.
Në fund të muajit korrik 1993 filloi një valë e madhe arrestimesh të anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), ndërkaq në javën e parë të muajit gusht u arrestuan Xhavit Haziri dhe Bajrush Xhemajli, anëtarë të kryesisë së re që ishte zgjedhur në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK-së, të mbajtur në Prishtinë më 26-27 korrik 1993. Për ta ndërprerë zinxhirin e arrestimeve të mundshme, dy anëtarë të tjerë të kryesisë (Halil Selimi dhe Adnan Asllani) dhe ish-udhëheqësi i LPK-së, Ramadan Avdiu, u larguan nga Kosova, ndërkaq Shaban Shala dhe Emin Krasniqi mbetën në klandestinitet të thellë derisa u bindën se metodat e zbatuara gjatë hetimeve ndaj Xhavit Hazirit dhe Bajrush Xhemajlit nuk kishin arritur të zbulonin asgjë që lidhej me Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK-së.
Pas këtyre arrestimeve, drejtues të organizatës që ishin larguar nga Kosova dhe drejtues të Degës së LPK-së Jashtë Vendit mbajtën mbledhje në Tiranë për ta analizuar situatën e krijuar. Në njërën nga mbledhjet që është mbajtur në muajin mars 1994 u vendos që kompetencat e drejtimit të organizatës t’i kalonin Degës së LPK-së. Që nga ajo kohë e deri në çlirimin e Kosovës strukturat e LPK-së brenda vendit u shndërruan në struktura të UÇK-së dhe nuk mund të konsolidoheshin njëkohësisht edhe si strukturë politike udhëheqëse. Prandaj drejtuesit e Degës Jashtë Vendit përfaqësonin politikisht tërë organizatën.

“Epoka e re”: A mund të thuhet se në përputhje me kompetencat që iu bartën Degës së LPK-së, kryesia e saj solli vendim që tërësia e njësive të armatosura që vepronin nën udhëheqjen e LPK-së të emërohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës?
Bardhyl Mahmuti: E saktë. Mirëpo përveç këtij emërtimi, në mbledhjen e 17 nëntorit 1994 ishte vendosur që trupa komanduese të quhej “Shtabi Qendror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe të fillohej me publikimin e komunikatave në emër të saj. Sipas pohimeve të Emrush Xhemajlit, sekretar i atëhershëm i LPK-së, komunikata e parë që është lëshuar në emër të “Shtabit Qendror të UÇK-së” të mbante numrin 11, për të përfshirë 11 aksionet që ishin kryer përpara se të fillohej me lëshimin e komunikatave.

“Epoka e re”: A keni qenë në dijeni se kush i shkruante këto komunikata?
Bardhyl Mahmuti: Jo, nuk kam qenë në dijeni. Për shkak të obligimeve të shumta që kisha gjatë studimeve në Universitetin e Lozanës, në vitin 1992 kam kërkuar të lirohem nga detyra e anëtarit të Kryesisë së LPK-së dhe veprimtarinë e kufizova kryesisht në kuadër të Këshillit të rrethit ku jetoja. Për këtë arsye nuk e di as nga cili person janë marrë të dhënat, as për atë se kush i ka shkruar dhe as për vendin nga ku janë lëshuar për publikim këto komunikata.
Pas përfundimit të ciklit të tretë të studimeve (shkurt 1997) u angazhova tërësisht në aktivitetet e LPK-së. Në Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së Dega Jashtë Vendit, që u mbajt më 2 dhe 3 maj 1998, në Zell (rrethinë e Zurich-ut në Zvicër), u zgjodh Këshilli i ri i Përgjithshëm, ndërkaq në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të mbajtur më 6 qershor 1998 në Würzburg të Gjermanisë, u zgjodh Kryesia e re: Bedri Islami (kryetar), Jashar Salihu dhe Bardhyl Mahmuti (nënkryetarë), Sejdi Gega (përgjegjës financiar), Agush Buja (sekretar), Ali Ahmeti dhe Ibrahim Kelmendi anëtarë të kryesisë.
Për këtë arsye nuk e di as nga cili person janë marrë të dhënat, as për atë se kush i ka shkruar dhe as për vendin nga ku janë lëshuar për publikim këto komunikata.

“Epoka e re”: Kur bëhet fjalë për Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së, jo rrallë dëgjohet termi “komplot” për të cilësuar moszgjedhjen e disa anëtarëve të kryesisë së moçme në kryesinë e re. Ku qëndron problemi?
Bardhyl Mahmuti: Ata që përdorin termin “komplot” për t’i përshkruar zhvillimet gjatë kësaj mbledhjeje të përgjithshme nuk e kuptojnë se në aspektin shkencor një organizim politik përkufizohet si hapësirë ku prapa pretendimeve të një strukture homogjene ka raporte forcash për të marrë në duart e veta strukturën drejtuese. Divergjencat që lindën gjatë Mbledhjes së Gjashtë të Përgjithshme duhet të shihen nga ky këndvështrim. Ata që kanë menduar se mund të jenë gjithmonë në funksione drejtuese të organizatës sonë, nuk e kanë kuptuar parimin bazë të funksionimit të luftës politike.
T’i kthemi normës statutare të LPK-së, sipas së cilës, Dega Jashtë Vendit kishte kompetenca të njëjta me një Këshill të Rrethit të LPK-së brenda vendit. Megjithatë kryesia e Degës Jashtë Vendit kishte imponuar një rregull për anëtarët e LPK-së që largoheshin nga Kosova, pa marrë parasysh funksionet që kishin pasur brenda vendit, të sistemoheshin në kuadër të Këshillit Popullor të vendbanimeve ku i përcaktonin autoritetet e shteteve përkatëse ku vendoseshin si azilkërkues. Kjo rregullore pamundësonte që udhëheqësit e organizatës që vinin nga Kosova të përfshiheshin në drejtim të organeve drejtuese të Degës së saj, me arsyetim se organet drejtuese ishin zgjedhur në një mbledhje të përgjithshme! Sado paradoksale që ka qenë një rregull e tillë, askush nga udhëheqësit e LPK-së që braktisnin Kosovën për t’iu shmangur arrestimit nuk e ka cilësuar si “komplot” kundër udhëheqjes brenda vendit! Përkundrazi të gjithë kemi respektuar rregullat e kësaj mënyre të funksionimit. Dhe pikërisht ata që kishin krijuar një rregull të tillë, kur nuk u zgjodhën ta vazhdonin drejtimin e organizatës, filluan t’i akuzojnë të tjerët për “komplot”.

“Epoka e re”: A mund të merrni ndonjë shembull konkret kur drejtuesit e LPK-së kanë qenë të detyruar të largohen nga Kosova dhe të mos jenë përfshirë në organet drejtuese të Degës së saj Jashtë Vendit?
Bardhyl Mahmuti: Kjo ka ndodhur me të gjithë udhëheqësit e Lëvizjes, pa përjashtim. Po marr shembull Ramadan Avdiun, Halil Selimin dhe Adnan Asllanin që u larguan nga Kosova pas arrestimeve të vitit 1993. Bëhet fjalë për udhëheqës shumëvjeçarë të LPK-së në momentet më të vështira dhe më vendimtare për ardhmërinë e rezistencës sonë: ishin drejtues të organizatës që nga koha kur u vendosën themelet e rezistencës sonë të armatosur, së bashku me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Fahri Fazliun etj.. Kur Dega Jashtë Vendit mori kompetenca ta përfaqësonte tërë organizatën, asnjëri prej tyre nuk u kooptua në organet drejtuese edhe pse ata ishin zgjedhur drejtues të LPK-së në disa mbledhje të përgjithshme të mbajtura brenda vendit, vendimet e të cilave nuk ishin pezulluan asnjëherë!
Është tepër domethënës qëndrimi i organeve drejtuese të Degës së LPK-së ndaj Halil Selimit dhe Ramadan Avdiut. Në kohën kur “pasuli numërohej kokërr për kokërr”, siç thuhet në Kosovë kur rrethanat janë tepër të rënda, Halili dhe Ramadani gëzonin besimin e plotë ta drejtonin organizatën. Mirëpo kur dolën “jashtë vendit” dhe kur kompetencat iu bartën Degës, gjërat ndryshuan. Megjithëse Halil Selimi vendosi të qëndronte në Shqipëri, e jo të dilte në shtetet perëndimore si shumica prej nesh, ai asnjëherë nuk u emërua zyrtarisht përfaqësues i organizatës në shtetin shqiptar, përkundër asaj se ishte në kontakt të vazhdueshëm me veprimtarët në trojet e pushtuara shqiptare. Ndërsa Ramadan Avdiu nuk u zgjodh as anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Degës, e lëre më anëtar kryesie! Përkundër kësaj, asnjëherë nuk i kemi dëgjuar të akuzojnë kryesinë e Degës për “komplot” ndaj udhëheqësve të organizatës!
Jam i sigurt se kryesia e atëhershme e Degës Jashtë Vendit do t’i trajtonte në mënyrë të njëjtë edhe Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Xhavit Hazirin dhe të gjithë udhëheqësit e tjerë të organizatës që ranë në altarin e lirisë, nëse do të kishin dalë jashtë Kosovës. Për këtë mënyrë të funksionimit, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Mehmet Bislimi, thoshte me ironi: “Shumicën prej nesh do ta kishin nderuar vetëm në bronz! Por fajet i ka Zoti që nuk na ka dhënë trimërinë e heronjve, madje as mjekrën si të Adem Jasharit!”

“Epoka e re”: Jo vetëm në lidhje me kryesinë e LPK-në, por termi “komplot” ju vishet edhe në raport me UÇK-në? Përderisa nga komunikata që mban numrin 11, e datës 17 nëntor 1994, e deri te komunikata numër 46, e datës 16 mars 1998, të gjitha janë lëshuar në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së, komunikata numër 47, e datës 12 maj 1998, dhe të gjitha komunikatat pas kësaj date janë lëshuar në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. A ke njohuri se si ndodhi një gjë e tillë?
Bardhyl Mahmuti: Është interesant se si arritën ithtarët e interpretimit të rrjedhave politike të asaj kohe nëpërmjet gjoja “komplotit” ta përqendrojnë vëmendjen te ndërrimi i emërtimit të “organit komandues” të UÇK-së dhe të lënë në heshtje qëndrimet e turpshme të atyre që kishin shkruar dhe publikuar në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së dy komunikatat paraprake.
Në Komunikatën numër 45, të datës 9 mars 1998, dhe në komunikatën numër 46, të datës 16 mars 1998, nuk u shkrua asnjë fjalë e vetme për Epopenë e UÇK-së, rezistencën legjendare të familjes Jashari dhe krimin e gjenocidit në Prekaz!!!
Ju betohem që nuk e di se kush e ka shkruar komunikatën numër 47. As pas përfundimit të luftës nuk kam qenë kureshtar të mësoj të vërtetën për këtë gjë. Mirëpo nëse quhet “komplot” veprimi që “udhëheqësve” të cilët përbuzën sakrificën e Jasharëve, t’u merrej e drejta për të publikuar komunikata në emër të UÇK-së, atëherë po e them publikisht: hallall u qoftë!

No description available.

“Epoka e re”: A mendoni se lënia në heshtje e Epopesë së UÇK-së u bë qëllimisht apo ka mundur të jetë për shkak të mungesës së informatave të sakta për atë që ndodhi në Prekaz?
Bardhyl Mahmuti: Jo, nuk ishte mungesë informatash! Rezistenca e familjes Jashari gjatë ditëve dhe netëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, nga njëra anë, dhe barbaria serbe, nga ana tjetër, vunë në qendër të opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar atë që ka marrë emrin Epope e UÇK-së.
Pa asnjë ngurrim mund të them se të gjitha partitë politike dhe lëvizjet marrë së bashku nuk kanë mundur t’i mobilizojnë shqiptarët më shumë se sakrifica e Jasharëve. Protestat që shpërthyen në të katër anët e botës ku kishte shqiptarë, ku u brohorit për UÇK-në dhe për pavarësinë e Kosovës, dëshmon më së miri se të gjithë kemi qenë të informuar shumë mirë për atë që ndodhi në Prekaz. Sa i përket ndikimit të kësaj sakrifice në skenën e politikës ndërkombëtare po citoj thëniet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovë, z. Bernard Kouchner (Kushner), gjatë vizitës në Kullë të Jasharëve në Prekaz: “Në emër të Kombeve të Bashkuara dhe Misionit UNMIK që përfaqësoj, kam ardhur t’ju përshëndes dhe t’ju përcjell njëkohësisht mbështetjen dhe admirimin tonë për ju dhe familjen tuaj, sepse bota reagoi pikërisht për shkak se disa nga prej jush ranë dëshmorë, në mesin e të cilëve pati shumë anëtarë të familjes suaj. Dhe pikërisht për arsye se këtu, në Prekaz, ndodhën këto sakrifica, bota filloi të lëvizë, dhe Prekazi vetëdijesoi botën për realitetin, për sakrificat dhe për luftimet. Për këtë arsye, nëse do të kishte çmim Nobel për liri, familja juaj do të duhej ta merrte!”
Të lëshosh një komunikatë në emër të UÇK-së më 9 mars 1998 dhe të pretendosh se “konfrontimi i forcave tona të armatosura me formacionet e forcave pushtuese ushtarake e policore serbe ka filluar më 7 mars 1998 (sic!) prej Gllogovcit në drejtim të Skenderajt, në veri në drejtim të Klinës, në lindje deri në Mitrovicë, kah fshatrat e Çiçavicës, nga Gllogovci në drejtim të Prishtinës… në Krahinën e Llapit, në territorin ndërmjet Deçanit, Gjakovës dhe Klinës, Malishevës, e Rahovecit, duke kaluar nga hapësira e Lumëthatit… dhe në vijën nga Deçani në drejtim të Pejës” pa përmendur luftimet në Prekaz, nuk është mungesë informatash, por heshtje e qëllimshme!

“Epoka e re”: Domethënë ju jeni të bindur se një heshtje e tillë ishte e qëllimshme?
Bardhyl Mahmuti: Të lëshosh për opinionin publik dy komunikatat e mësipërme në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ta heshtësh ngjarjen që bëri kthesë të jashtëzakonshme në historinë tonë kombëtare nuk është e rastësishme! U takon atyre që çirren për gjoja “komplotin” që është bërë në Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme, të sqarojnë publikisht se kush i shkroi këto dy komunikata dhe përse u hesht heroizmi dhe tragjedia e familjes Jashari.

“Epoka e re”: Në Komunikatën 47 që u lëshua në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së përmendet rënia heroike e një numri luftëtarësh të cilët nuk ishin përmendur fare në komunikatat paraprake. Në mesin e këtyre emrave janë edhe Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari, Osman Geci e deri tek Ilir Konushevci. Si e interpretoni këtë formë të re të komunikimit?

No description available.

Bardhyl Mahmuti: Vërtet nuk e di saktësisht se çfarë i ka shtyrë shkruesit e kësaj komunikate të ndryshojnë në krahasim me format e mëparshme të komunikatave, mirëpo sa i përket përfshirjes së emrave të disa personaliteteve të rezistencës sonë në komunikatën e lëshuar pas më shumë se dy muajsh nga koha kur kishin ndodhur vrasjet e tyre, mendoj se ishte një përpjekje për t’i përmirësuar gabimet e atyre që nuk e di për çfarë motivesh ishin përpjekur t’i lënë në heshtje!

“Epoka e re”: Pas cilësimit të rënies së Jasharëve si rënie heroike, Adem Jasharit iu dha epiteti Komandat Legjendar i UÇK-së. Edhe ju e quajtët rezistencë legjendare qëndresën e familjes Jashari. Si lindi ideja për ta përdorur epitetin “legjendar”?
Bardhyl Mahmuti: Kryetari i LPK-së, Bedri Islami, ishte nismëtar i idesë që t’i jepej epiteti komandant legjendar Adem Jasharit. Më konkretisht, ideja fillestare e tij ishte për emërtimin Komandant i Përgjithshëm Legjendar, sepse me trimërinë e pashoqe që kishte treguar në të gjitha aksionet kundër pushtuesve serbë dhe me rezistencën e jashtëzakonshme që dëshmoi përpara opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Adem Jashari i dha karakter legjendar historisë sonë moderne. Ideja e tij u përqafua nga shumica e anëtarëve të Kryesisë së LPK-së dhe veprimtarëve me të cilët ishte konsultuar dhe, në fund, në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari u shpall Komandant Legjendar.

“Epoka e re”: A pati ndonjë ndryshim organizativ cilësor që ndikoi në ndryshimin e emrit nga Shtab Qendror në Shtab të Përgjithshëm?
Bardhyl Mahmuti: Ndryshimi i emrit nga Shtab Qendror në Shtab të Përgjithshëm nuk ka të bëjë me aspektet komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si në rastin e Shtabit Qendror, kur komunikatat janë lëshuar nga Kryesia e LPK-së, edhe në rastin e Shtabit të Përgjithshëm, kur komunikatat nuk shkruheshin nga kryesia e re e LPK-së, por nga nuk e di se kush në Kosovë, nuk kemi një organ drejtues të operacioneve ushtarake, por bëhet fjalë për qendër të orientimit propagandistik. Për dallim nga periudha kur njësitë e armatosura të UÇK-së ishin numerikisht të pakta dhe në emër të saj “fliste” vetëm Shtabi Qendror, “në kohën e Shtabit të Përgjithshëm” shtrirja e luftës së armatosur kishte marrë karakter të përgjithshëm kombëtar dhe, përveç komunikatave që lëshoheshin në emër të Shtabit të Përgjithshëm, vazhdimisht kemi pasur publikimin e komunikatave të Zonave Operative, deklarata të zëdhënësve të këtyre zonave e kështu me radhë. Me një fjalë, asnjëherë nuk arritëm të kemi një shtab të vetëm propagandistik që do të “fliste” në emër të tërësisë së forcave të armatosura.

“Epoka e re”: Domethënë ju pajtoheni me ata që vazhdimisht kanë mohuar ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Po e përsëris: nuk bëhet fjalë për një Shtab të Përgjithshëm në kuptimin e drejtimit të forcave të armatosura, por për një strukturë që do ta ketë të drejtën të flasë në emër të forcave të armatosura. Dihet botërisht se gjatë luftës, Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, ka qëndruar shumë pak në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Shtabit të Përgjithshëm. Shumica e atyre që gjatë luftës së armatosur në Kosovë mohonin ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ishin pikërisht veprimtarë të cilët përpiqeshin t’i merrnin kompetencat të “flisnin” në emër të forcave të armatosura, jo t’i drejtonin operacionet ushtarake!
Të jemi të qartë! Për asnjë çast nuk ka munguar dëshira për të pasur një strukturë komanduese që do t’i drejtonte të gjitha operacionet luftarake. Madje do të donim të kishim një strukturë edhe më të përkryer se strukturat komanduese të shteteve anëtare të NATO-s. Objektivisht një gjë e tillë ishte e pamundur për shkak të pranisë së forcave të shumta të armatosura serbe në Kosovë dhe mjeteve të sofistikuara që posedonin për t’i përgjuar komunikimet tona.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Rishi Sunak ka ripohuar mbështetjen për zgjidhjen me dy…