A po dështon dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja
Takimet dhe diskutimet e fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë sërish ishin pa rezultat. Dy kryenegociatorët u takuan ndaras me emisarin evropian Miroslav Lajçak, i cili i përshkroi si një “vorbull e përpjekjeve diplomatike që synonin përparimin në normalizimin e marrëdhënieve”.
Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ka treguar se pasi ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi në Prishtinë, ka shkuar në Beograd për t’u përgatitur për takimin e negociatorëve kryesorë në Bruksel – ndërsa ka treguar edhe për takimet e së martës.
Ai tha se nuk arritën të bien dakord për agjendën e një takimi trilateral.
“Edhe pse nuk arritëm të biem dakord për agjendën e takimit trepalësh, ne diskutuam çështje politike dhe teknike dhe prezantuam hapat e rëndësishëm që do të udhëheqin diskutimin tonë të ardhshëm”, ka shkruar Lajçak.
Ai shtoi se dialogu ka qenë fokusi kryesor i dy javëve të fundit, por ka marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera.
Ndryshe, Bislimi njoftoi pas takimit se në takimin dypalësh me Lajçakun, temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për çka Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023, por nuk kanë bërë hapa për zbatimin e saj.
Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.