A po e anekson Putini fshehurazi Bjellorusinë?
Rusia ka rritur në heshtje ndikimin dhe kontrollin mbi Bjellorusinë.
Të dy vendet i kanë thelluar lidhjet që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë dhe tani janë të dyja të përjashtuara nga pjesa më e madhe e Evropës dhe Perëndimit.
Madje është argumentuar se Moska po komploton për ta bërë ish-vendin sovjetik pjesë të Rusisë.
Analisti ushtarak britanik Sean Bell beson se Vladimir Putin “ngadalë, por me siguri po anekson Bjellorusinë në mënyrë të fshehtë”, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Për të kuptuar se çfarë po ndodh aktualisht duhet të kthehemi në vitin 2020.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili ka mbajtur pushtetin që nga viti 1994, përballej me demonstrata të mëdha antiqeveritare. Ato ishin më masivet në historinë e vendit, të nxitura nga akuzat se qeveria po shtypte rregullisht opozitën. Lukashenko kishte frikë se do të rrëzohej por, më pas, Rusia ndërhyri për t’i shuar trazirat.
Midis gushtit 2020 dhe shkurtit 2022, Putini premtoi 1.5 miliard dollarë kredi për Bjellorusinë dhe shtyu pagesat e borxhit, duke siguruar një shpëtim për Lukashenkon.
Që atëherë Putini dhe Lukashenko kanë mbajtur një marrëdhënie të ngushtë, e cila ka përfshirë kryesisht Bjellorusinë që të “sakrifikohet” për Rusinë.
Kështu, lufta e Rusisë në Ukrainë filloi nga toka bjelloruse dhe të dy vendet kanë kryer së bashku trajnime të gjera ushtarake.
Veç kësaj, kohët e fundit Moska vendosi armë taktike bërthamore në Bjellorusi. Dhe kur grupi Wagner filloi një rebelim dhe marshoi drejt Moskës, ishte Lukashenko ai që ndërhyri në emër të Putinit për ta ndaluar rebelimin.
Presidenti bjellorus ndërmjetësoi një marrëveshje që do ta shihte shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, të transferohej në Bjellorusi dhe forcat e tij të zhyten në ushtri.