A po e heton EUROPOL-i prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë?
Natasha Pirc Musa, presidente e Sllovenisë ka folur rreth mundësisë së hetimit nga ana e EUROPOL-it të prejardhjes së armëve të Milan Radojçiq të përdorura në sulmin në Banjskë.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka folur rreth organizatës së EUROPOL-it si dhe mundësinë e hetimit të saj rreth prejardhjes së armëve që janë gjetur në Banjskë.
Ajo në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se nëse jo EUROPOL, atëherë agjencitë e inteligjencës rreth Ballkanit Perëndimor dhe në Slloveni po e ndjekin situatën nga afër.
“Unë kam qenë Kryesuese e Organit të Përbashkët Mbikëqyrës të EUROPOL-it kur kam qenë Komisionere për Informacion, prandaj kanë kaluar shumë vite që kur unë nuk jam më atje. Por mund t’iu siguroj, ju siguroj, nëse jo EUROPOL, atëherë agjencitë e inteligjencës rreth Ballkanit Perëndimor dhe në Slloveni po e ndjekin situatën nga afër. Pra, më besoni, ata shkëmbejnë informacione, veçanërisht brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ata shkëmbejnë informacionin dhe jam shumë e sigurt se kanë një pamje realiste të asaj që po ndodh”- tha presidentja sllovene, Pirc Musar.
Mëngjesi i 24 shtatorit(24.09.2023) zbardhi në Banjskë me një sulm terrorsit që la të vrarë një pjestar të policisë, rreshterin Afrim Bunjaku. Që nga ajo ditë, zyrtarë policorë janë duke vazhduar të monitorojnë situatën në këtë zonë e madje edhe janë duke i vazhduar hetimet policore me qëllim të zbardhjes së sa më shumë detajeve e gjetjes së dëshmive të tjera për këtë rast.
Në pjesën në të cilën u sulmua policia e edhe në zonën afër Manastrit të Banjskës ditët e para qëndruan Njësitë Speciale Operative, e këto njësi pas qetësimit të situatës dhe uljes së rrezikshmërisë tash e tri ditë janë zëvendësuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë. Përgjegjësinë për sulmin terrorist që ndodhi në këtë fshat e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Ai bashkë me pjestarë të tjerë të grupit pas sulmit që kryen ikën në drejtim të Serbisë. Sipas autoriteteve të Kosovës, ky grup ka më shumë se 90 pjesëtarë, ku sipas policisë deri më tani janë identifikuar më shumë se 30 prej tyre. Radoiçiq u ndalua nga organet e drejtësisë në Serbi. Prokuroria e Lartë në Beograd kërkoi nga ana e gjykatës që ndaj tij të vendoset masa e paraburgimit. Mirëpo, diçka e tillë nuk ndodhi. Gjykata në Beograd e liroi atë nga ndalimi e ndaj tij mori disa vendime, përfshirë këtu edhe ndalimin për të hyrë në Kosovë.
Nga veprimet hetimore që u kryen nga PK u gjet një arsenal i madh armatimi në zonën e Banjskës.