A po e rinis Kina luftën tregtare me ShBA-në?
Lufta tregtare SHBA-Kinë, duket si një nga ato konflikte që nuk i dihet me saktësi fillimi. Njëherazi, duket se nuk ka pasur as një moment, ku ekspertët mund të argumentojnë se ka marrë fund. Sidoqoftë, ka disa momente, ku edhe pse janë rivale të përjetshme, dy superuqitë ndiejnë nevojën “të ulin armët”, dhe të bëjnë një përpjekje për të zgjidhur ngërçet mes tyre, si në rastin e fundit. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen përfundoi udhëtimin e saj të dytë në Kinë , ku ngriti shqetësimet amerikane për mbiprodhimin kinez, paralajmëroi kundër mbështetjes për Rusinë. Në harkun kohor prej katër ditësh, Yellen pati takime me liderë kinezë, zyrtarë lokalë, akademikë, studentë dhe drejtues amerikanë si në metropolin jugor të Guangzhou, ashtu edhe në kryeqytetin Pekin. Vizita e saj, e dyta e saj në Kinë në nëntë muaj si shef i thesarit, ka për qëllim adresimin e mosmarrëveshjeve tregtare midis ekonomive më të mëdha në botë, ndërsa të dy palët përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet pas një samiti midis presidentit amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping nëntorin e kaluar.
Mesazhi për Kinën
Pavarësisht tonit të përgjithshëm pozitiv të mbulimit të medias shtetërore kineze, Yellen kishte një mesazh të ashpër për Pekinin: eksportet në rritje të Kinës të automjeteve elektronike të subvencionuara nga shteti (EV), paneleve diellore dhe baterive po kërcënojnë vendet e punës dhe bizneset amerikane dhe duhet të frenohen. Në një konferencë shtypi dje, Yellen tha se ajo u shprehu shqetësime zyrtarëve të lartë kinezë se ka tipare të ekonomisë kineze që kanë “përhapje negative në rritje” në SHBA dhe në botë. “Jam veçanërisht e shqetësuar për mënyrën sesi pabarazitë e qëndrueshme makroekonomike të Kinës – domethënë konsumi i dobët i familjes dhe mbiinvestimet e biznesit, të rënduara nga mbështetja e qeverisë në shkallë të gjerë në sektorë të veçantë industrialë – do të çojë në rrezik të konsiderueshëm për punëtorët dhe bizneset në Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botën”, u tha ajo gazetarëve.
Kritikat e ShBA-së
Pekini i ka hedhur poshtë këto kritika, duke dënuar muajin e kaluar një hetim të BE-së për subvencionet për automjetet elektrike. Pekini nga ana e tij akuzon Perëndimin për proteksionizëm dhe përpjekje për të politizuar tregtinë ndërkombëtare. Kinezët kanë kritikuar SHBA-në për goditjen ndaj kompanive kineze të teknologjisë së lartë dhe sektorit të çipave, duke e akuzuar atë për hakerim dhe kritikuar zhvillimin e inteligjencës artificiale të Kinës. Kina hedh poshtë kritikat e SHBA-së se “mbikapaciteti” industrial i Kinës përbën një kërcënim për vendet e tjera. Panelet diellore të lira kineze kërcënojnë eksportet e SHBA-së, akuzat për mbikapacitetin kinez janë vetëm një justifikim që SHBA të vendosë tarifa ose masa të tjera proteksioniste kundër produkteve kineze, thekson Xin Qiang, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime Amerikane në Universitetin Fudan. “Akuza të tilla dëshmojnë standardet e dyfishta të SHBA,” tha Xin, pasi SHBA “pranon tregtinë e lirë kur janë në favor dhe vendos sanksione kur nuk janë”.
“Ulja e armëve”
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pritet të vizitojë sërish Kinën në javët në vijim, një shenjë se të dyja palët po i kthehen bashkëpunimit normal. “Global Times” e Kinës shkruan se Janet Yellen dhe zëvendëskryeministri kinez He Lifeng patën një komunikim “të sinqertë, pragmatik dhe konstruktiv” për dy ditë. He Lifeng është gjithashtu personi kryesor në Kinë për çështjet ekonomike dhe tregtare me SHBA. Sipas një deklarate të përbashkët, ata ranë dakord të diskutojnë çështje të tilla si rritja e ekuilibruar e SHBA-së, Kinës dhe ekonomisë globale, stabiliteti financiar, financat e qëndrueshme dhe bashkëpunimi në luftën kundër pastrimit të parave. “Pala kineze ka shprehur shqetësim serioz për masat ekonomike dhe tregtare të SHBA që kufizojnë Kinën dhe iu përgjigj plotësisht çështjes së kapacitetit të prodhimit. Të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë të mbajnë komunikimin,” raportoi Xinhua. Sidoqoftë ka ende çështje “të nxehta”, si Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore.