A po fiton Kina?
The Economist
Ky vit filloi tmerrësisht keq për Kinën. Kur u përhap virusi i frymëmarrjes në Wuhan, instinkti i zyrtarëve të Partisë Komuniste ishte që të prisnin. Disa parashikuan që mund të ishte një “Çernernobil” i Kinës – një referencë se si gënjeshtrat e Kremlinit mbi një aksident bërthamor shpejtuan rënien e Bashkimit Sovjetik.
Por gabuan. Pas hezitimit fillestar, partia qeverisëse e Kinës vendosi me shpejtësi një karantinë me një ashpërsi marramendëse. Bllokimi duket se funksionoi. Numri i rasteve të reja me covid-19 është i ulët.
Fabrikat në Kinë po rihapen. Studiuesit atje i kanë gati vaksinat kandidate dhe po nxitojnë me testimin e tyre. Ndërkohë, numri i zyrtar i vdekjeve në Kinë është tejkaluar nga Britania, Franca, Spanja, Italia dhe SHBA.
Kina po e sheh këtë si një triumf. Një fushatë e gjerë propagandistike shpjegon se Kina e vuri nën kontroll epideminë falë një reagimi të fortë njëpalësh.
Vendi tani po tregon dashamirësinë e tij, siç thotë propaganda vendase, duke furnizuar botën me pajisje mjekësore, përfshirë rreth 4 miliard maska midis 1 marsit dhe 4 prillit. Synimi i saj është të blejë kohë ndërsa pjesa tjetër e botës vijon të jetë nën goditje. Nëse disa demokraci perëndimore po e pësojnë, kjo tregon se si sistemi i tyre i qeverisjes është inferior ndaj Kinës.
Disa, përfshirë vëzhguesit e politikës së jashtme në Perëndim, kanë dalë në përfundimin se Kina do të jetë fituesja nga kjo katastrofë e Covid-19. Ata paralajmërojnë se pandemia do të mbahet mend jo vetëm si një fatkeqësi njerëzore, por edhe si një pikë kthese gjeopolitike për humbjen e Amerikës. Kjo tezë gjen vend pjesërisht për fushatën parazgjedhore.
Presidenti Donald Trump duket se nuk ka asnjë interes të udhëheqë përgjigjen globale ndaj virusit. Presidentët e mëparshëm amerikanë drejtuan fushata kundër HIV-it dhe Ebola-s. Trump, përkundrazi është zotuar të shpërbëjë OBSH me pretendimin paragjykues se veproi pro-Kinës. Me një drejtues të tillë në Shtëpinë e Bardhë që pretendon se ka “fuqi absolute”, por duke thënë “Unë nuk marr përsipër përgjegjësi”, Kina ka një shans për ta përmirësuar ndikimin e saj.
Megjithatë nuk është çudi që Kina të mos mundet të ketë sukses. Askush nuk mund të na garantojë se rekordi i Kinës në trajtimin e covid-19 qe aq mbresëlënës sa pretendohet – në të vërtetë nuk ka qenë më i mirë se sa të dhënat e demokracive kompetente si Koreja e Jugut apo Tajvani.
Të huajt nuk mund të kontrollojnë nëse zyrtarët e fshehtë të Kinës kanë qenë të sinqertë për numrin e rasteve të vdekjeve nga koronavirusi. Një regjim autoritar mund t’u thotë fabrikave të fillojnë punë, por ai nuk mund t’i detyrojë konsumatorët të blejnë produktet e tyre.
Një pengesë tjetër është se propaganda e Kinës është shpesh e papërpunuar dhe e rëndomtë. Fjalët e zyrtarëve të Kinës nuk lavdërojnë thjesht udhëheqësit e tyre; disa kënaqen për mosfunksionimin e Amerikës ose promovojnë teori të egra të komplotit, duke e quajtur virusin një armë biologjike amerikane. Por edhe vendet e pasura kanë dyshime për Kinën.
Më gjerësisht, pandemia ka ushqyer argumente që vendet nuk duhet të mbështeten tek Kina për mallra dhe shërbime bazë, nga ventilatorët e deri tek rrjeti 5G. OBT pret që tregtia globale e mallrave të tkurret me 13-32% në afat të shkurtër. Nëse kjo shndërrohet në një tërheqje afatgjatë nga globalizimi, do ta dëmtojë Kinën gjithashtu.
Por vendet e tjera duna më shumë ta shohin Kinën si partnere të Amerikës, e jo si rivale. Sigurisht, Kina nuk është gati të riprodhojë pikat e forta të Amerikës: një rrjet të gjerë aleancash dhe legjionin e aktorëve të fuqishëm privatë globalë, nga Google e Netflix deri në Harvard dhe Fondacioni Gates. Nuk ka asnjë shenjë se dëshiron një lloj lidershipi, siç bëri SHBA pas L2B.
Gjithësesi një test për ambiciet e Kinës do të jetë mënyra se si vepron në garën për vaksinën. Nëse arrin ta bëjë e para, suksesi mund të përdoret si një triumf kombëtar dhe një platformë për bashkëpunimin global. Një provë tjetër është lehtësimi i borxhit për vendet e varfra.
Më 15 Prill G20, përfshirë Kinën, ra dakord të pezullojnë pagesat e borxhit për tetë muaj. Kina ka grumbulluar borxhe të mëdha bilaterale, për të siguruar ndikim politik. Nëse vendimi i G20 do të thotë që qeveria në Pekin tani është e gatshme të bashkërendohet me kreditorët e tjerë dhe të tregohet bujare, kjo është shenjë se është e gatshme të shpenzojë para për të marrë një rol të ri.
Megjithëkëtë, ndoshta Kina është më pak e interesuar të drejtojë botën sesa të sigurohet që fuqitë e tjera nuk do guxojnë ta shkatërrojnë atë. Drejtuesit e Kinës kombinojnë ambicie të mëdha me një kujdes të natyrshëm nga përgjegjësia e madhe që ata kanë për qeverisjen e një vendi me 1.4 miliard njerëz. Ata nuk kanë nevojë të krijojnë një rend të ri ndërkombëtar të rregulluar nga e para. Ata mund të preferojnë të vazhdojnë të bëjnë presion mbi rendin e ndërtuar nga Amerika pas L2B, në mënyrë që Kina në rritje të mos kufizohet.
Kjo nuk është një perspektivë ngushëlluese. Mënyra më e mirë për të trajtuar pandeminë dhe pasojat e saj ekonomike është të vepruarit globalisht. Gjithashtu edhe për probleme si krimi i organizuar dhe ndryshimi i klimës.
Vitet 1920 kanë treguar se çfarë ndodh kur fuqitë e mëdha kthehen egoiste dhe nxitojnë të përfitojnë nga problemet e të tjerëve. Përhapja e Covid-19 deri më tani ka ngjallur shumë orekse për avantazh dhe veprimet e Z. Trump mbajnë shumë faj për këtë. Që Kina të kishte të njëtin vizion prej superfuqie nuk do të ishte një triumf por një tragjedi.