A po hesht opozita në raport me Qeverinë Kurti gjatë 100 ditëve të para?

25 shkurt 2020 | 09:24

Janë 100 ditë të cilat partitë opozitare ia kanë premtuar Qeverisë së re të Kosovës para se të fillojnë me shpalosjen e kritikave dhe të bërit opozitë karshi politikave qeverisëse. Me zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 2019, në Kosovë kanë ndodhur ndryshime në qeverisje, ngaqë ish partitë në pushtet kanë kaluar në opozitë, kurse ish-opozita në pushtet.

Ende pa u mbushur tri javë, opozita dhe liderët e partive në opozitë, po tregohen mjaft të zëshëm ndaj politikave të qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.

Paralajmërimet për heqjen e taksës ndaj importeve nga Serbia, shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike apo edhe ndryshimet në kuadër të ristrukturimit të qeverisë, kanë hasur dhe po hasin në kundërshtimet e opozitës.

Sipas analistëve politikë, qeveria e re e filloi punën me entuziazëm, andaj edhe nxiti reagime, ndërkaq në partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës, thonë se Qeveria Kurti është duke qeverisur pa program dhe me improvizime.

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se është evident fakti se krejt ato kauza që i kanë përdorur gjatë fushatës partitë në koalicion, për të ardhur në pushtet, i kanë lënë anash krejt. Sipas tij, asnjë nga premtimet e dhëna, kjo qeveri nuk i ka në agjendë.

“Kjo qeveri nuk e ka një plan të shkruar. Kjo qeveri po funksionon dhe po punon me njëfarë metode të improvizimeve momentale. Këto vendime që i kanë marrë për largim, për shembull të drejtorit të doganës, kjo është një qasje për spastrime me agjendë politike”, tha Totaj.

Ai thotë se nga qeveria e re është dashur të pritet se do të sjellë diçka të re, një dimension i ri, e kualitet të ri dhe jo të merret me të kaluarën.

“Ata po merren, veç me korrigjimet e disa gjërave që janë bërë në të kaluarën. Do të thotë ne nuk po e shohim këtu një vizion, një kualitet, një dimension të ri, një vlerë të re për të cilën kemi pasur nevojë”, u shpreh Totaj.

Sipas tij, PDK-ja si parti opozitare, do të bëjë punën e saj në mënyre që mos të ndodhin gabimet e mëdha.

“Qasja e tyre për këto temat e mëdha nacionale …, po i presim të shohim se çka do të veprojnë ata. Çka do të veprojnë, sepse jemi dëshmitarë të asaj se kanë folur diçka tjetër e kanë vepruar diçka tjetër edhe derisa nuk e kemi një plan të shkruar, ne nuk e dimë se çka do të veprojnë”, u shpreh ai, duke shtuar se kritikat në drejtim të pozitës nuk do të ndalën.

“Preventiva është më e mirë sesa shërimi”, theksoi Totaj.

Njohësit zhvillimeve politike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës, për veprimet që ka ndërmarrë për këto ditë të qeverisjes, ka vend për kritika dhe lëvdata.

Selatin Kllokoqi, analist dhe hulumtuese në organizatën Demokraci Plus, tha për Radion Evropa e Lirë, se çështja që po e ngatërron aktualisht Qeverinë Kurti, është mungesa e planifikimit të duhur për zvogëlimin e numrit të ministrive.

“Shohim se kjo qeveri ka nisur punën me një entuziazëm. Ka marrë disa vendime të cilat duken se janë më ndryshe nga qeveria tjetër. Çka mund ta kritikojmë është sepse siç duket nuk e kanë pasur planin e detajuar se si do të veprojnë pasi t’i kenë 15 dhe jo 21 ministri. Si duket kjo punë po merr kohë sepse nevojitet kohë që të bëhet plan si do të bëhet risistemimi, rivendosja ose bashkimi i ministrive. Kjo në njëfarë mënyre është duke sjellë edhe tensione”, tha Kllokoqi.

Një qasje edhe më të ashpër në raport me qeverinë e re ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Ky i fundit, në disa raste ka shkruar statuse nëpër rrjete sociale duke iu drejtuar kryeministrit Kurti në formë të prerë se “nuk duhet të shfuqizojë taksën” e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bonje e Hercegovina.

Ndërkaq aktivistë të AAK-së, të hënën, gjatë një aktiviteti të cilësuar si “simbolik”, i dërguan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një pako të madhe të mbështjellë me ambalazhin e “plazma keks”, prodhim ky nga Serbia, duke i thënë Kurtit që nuk i duan prodhimet serbe.

Kuvendi i Kosovës është ende në fazën e konsolidimit të komisioneve të reja parlamentare, ndërkohë që edhe aty, partitë opozitare tashmë kanë paralajmëruar se shumë shpejt do ta ftojnë Kurtin dhe ministrat e kabinetit qeverisës që të raportojnë për vendimet që po marrin.

Qeveria e re e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është formuar më 3 shkurt. Qeveria e re e Kosovës ka 15 ministri dhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria pritet të ketë edhe 33 zëvendësministra. Deri më tani janë emëruar disa zëvendësministra, por jo edhe pjesa më e madhe e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Skuadra e Barcelonës udhëton në Itali për t’u përbaltur me…