A po hyn Kosova në një tranzicion të frikshëm
Shkruan: Ismail Syla –
Pamja e policit para hyrjes së ndërtesës së KQZ dhe transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjes së KQZ-së për certifikimin e subjekteve politike dhe të kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit më ngjallën frikë dhe druajtje si paralajmërim që Kosova po hyn një krizë të rrezikshme.
Kur kësaj i shtohet fakti se aktualisht Kosova është Republikë e Ushtruesve të Detyrave, frika bëhet edhe më e madhe. Vetmia e kryetares së KQZ-së ishte tregues se në çfarë pozicioni pezull qëndron shteti i Kosovës. Tensionimi i filluar në një mbledhje të KQZ mund të prodhojë një hap të vogël të gabuar, por pasojat mund të jenë të mëdha.
A mundet Kosova si shtet i ri dhe demokraci e re ta përballojë këtë situatë me tone traumatizuese, që mund të bëhen goditje traumatike vetëm nga një shkëndijë e vogël, kur po krijohet përshtypja se jemi para një situate tranzicioni politik? Shenjat janë paralajmërim i kronikave të frikshme.
Bashkësia ndërkombëtare sikur është lodhur me ne dhe sikur është pak mënjanë për të parë se deri ku mund të shkojnë zhvillimet politike të cilat i determinojmë vetë ne. Më në fund dolën përfaqësuesit e shteteve të Kuintit dhe kërkuan të mos ndërhyhet në punën e KQZ-së.
Në këtë vorbull zhvillimesh është për t’u përshëndetur qëndrimi korrekt, me integritet dhe profesionalizëm i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, e cila nuk lejoi që ligji të lexohet nga bishti drejt kokës. Ajo nuk krijoi shkas për të shkelur ligjin, edhe pse, në vend të reagimit dhe përkrahjes së shpejtë, zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese e lanë në baltë. Hedhja e shkopit në rrotë nuk bëri punë, por asaj nuk do t’ia falë kurrë blloku politik që veten e konsideron në ardhje.
Pas zhvillimeve normale, çdo shoqëri, qoftë e madhe ose e vogël, vjen deri te momenti i tranzicionit. Jemi dëshmitarë se fund se si superfuqia globale, SHBA-ja kaloi një situatë në mënyrë të kontrolluar. Pamja e inaugurimit të Presidentit Biden, ku sheshi, publiku u zëvendësua me flamuj amerikanë tregoi se jo vetëm rreziku nga covid-19, por as ai i huliganëve që përdhosën Kongresin amerikan nuk mund ta lëkundin themelin e shtetit më të fuqishëm në botë.
Ndonjëherë shoqëria mund të krahasohet edhe çiftet bashkëshortore. Edhe qytetarët mund të gjenden para dilemave, ashtu si bashkëshortët para divorcit traumatik, që zëvendësohet akoma edhe më keq, me një martesë të re abuzive.
Koha do të vërtetojë autenticitetin e përcaktimit. Përcaktimi i parë mund të jetë me të meta, por është i parashikueshëm, e di kë po e braktis, ndërsa përcaktimi i dytë është me të panjohura.
Shenjat janë të frikshme.