A po insiston ShBA-ja në formimin e qeverisë LV-LDK, tregon Agon Maliqi
Analisti politik, Agon Maliqi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se porosia e parë e ambasadorit Grenell, nënkupton që SHBA-ja po insiston për formimin e qeverisë, por pa ndërhyrjen e saj se si mund të formohet ajo.
Për më shumë, sipas tij, përmes kërkesës kryesore për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, SHBA-ja e ka barazuar fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës me çështjen e taksës, duke e akomoduar edhe shqetësimin e Kosovës.
“Unë mendoj që partitë politike në Kosovë, përgjithësisht, kur u kanë ardhur mesazhe të tilla të drejtpërdrejta, sidomos nga nivele kaq të larta nga SHBA-ja, të paktën, të dyja partitë (Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës) duhet të jenë ose mund të jenë të gatshme që ta shqyrtojnë këtë kërkesë. Se a janë të gatshme për ta bërë këtë, mbetet për t’u parë. Por, kjo, po supozoj, mund të jetë ndoshta edhe njëra ndër arsyet për vonesat për formimin e koalicionit. Një farë lloj pasigurie e palëve se si të sillen në këto rrethana, nëse u hidhet një top i nxehtë në tavolinë, menjëherë që në javën e parë”, thotë Maliqi.
Ai shton se praktikat e deritashme kanë treguar se partitë politike në Kosovë i kanë ndryshuar qëndrimet atëherë kur u ka ardhur ndonjë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos kur kërkesa vjen nga i dërguari special dhe me lidhje të drejtpërdrejta me presidentin e Donald Trump.