A PO LINDË SERBIA E PUTINIT?

04 tetor 2018 | 11:34

Milazim KRASNIQI

 Vizita e Vuçiqit në Rusi kaloi, dilemat mbeten, pasojat do të fillojnë të shihen në javët në vazhdim, kur do të fillojnë të zbatohen urdhrat e Putinit. Mbase urdhrat mund të bëhen më të qarta gjatë vizitës së Putinit në Beograd, që pritet të zhvillohet gjatë nëntorit të këtij viti. Por, edhe para asaj vizite, mund të fillojë një ofensivë e re serbomadhe kundër Kosovës, sepse ajo tashmë është akorduar në Moskë. Vuçiqi ka deklaruar vetë se nga 50 minutat që kanë biseduar kokë më kokë me Putinin, 40 minuta i janë kushtuar Kosovës, gjë që lë të kuptojë se ata kanë përpunuar një plan të detajuar për veprim në të ardhmen.

 Nëse ka të vërtetë në konstatimin e gazetës ruse “Komersant” se Putini nuk është pajtuar me idenë e Vuçiqit për “zagranicenje”, pra për aneksimin e veriut të Kosovës, me çka do të hapej mundësia e njohjes së Kosovës së amputuar, atëherë zhvillimet e ardhshme mund të jenë pritshme. Zhvillimet e pritshme do të ishin që Rusia të involvohej më shumë në zhvillimet në Kosovë, duke ia marrë Serbisë primatin e angazhimit. Pra, de facto Rusia do të ishte palë në procesin e negociatave dhe në gjithë menaxhimin e konfliktit ndërmjet Serbisë e Kosovës. Si duket Putini ka konstatuar se Serbia nuk ka energji të përballojë presionet në rritje të Brukselit, prandaj do të shfaqet Rusia si tutor i saj në gjithë procesin, duke amortizuar presionet e Perëndimit mbi Serbinë.

 Pse mund ta marrë Rusia këtë rol, duke shmangur në plan të dytë Serbinë? Pse nuk e ka lejuar Serbinë të tentojë të marrë atë që synon dhe të mbyllet konflikti asfiksues ndërmjet Serbisë e Kosovës, si edhe ndërmjet Serbisë e Brukselit dhe Uashingtonit? Ka disa arsye. E para, Rusisë i konvenon që lidhur me Kosovën Serbia të mbetet e varur nga vota e saj në Këshillin e Sigurimit, sepse ashtu e mban në raport vasaliteti. Kjo varësi e Serbisë mund ta detyrojë ta avancojë Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish, në një bazë ruse në të ardhmen. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Rusia do t’i futej në brendësi Aleancës Veriatlantike.

Në një zhvillim të tillë, Ukraina do të mbetej e gozhduar përgjithmonë në kthetrat ruse. Pra, Rusisë i duhet konflikti ndërmjet Serbisë e Kosovës, për planet e veta gjeopolitike e gjeostrategjike. E dyta, mbetja e konfliktit ndërmjet Serbisë e Kosovës, pamundëson anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, gjë që po ashtu është interes strategjik i Rusisë. Një Serbi jashtë BE-së, do të kishte më shumë nevoja për ndihmat ruse, do të varej më shumë nga Rusia. E treta, deri sa vazhdon të jetë i hapur konfliktit ndërmjet Serbisë e Kosovës edhe Bashkimi Evropian do të mbetet i përçarë në këtë çështje, ngase pesë shtete anëtare të BE- së nuk e njohin Kosovën si shtet. Mungesa e unitetit të Bashkimit Evropian, i konvenon shumë Rusisë, prandaj ajo punon që kjo përçarje të vazhdojë, mundësisht edhe të thellohet. E katërta, Rusia po e shfrytëzon në maksimum konfuzionin e administratës amerikane, për të penetruar sa më shumë në Ballkan, duke u çimentuar në Serbi, duke destabilizuar keqas Maqedoninë e duke rritur çdo ditë kontestimin ndaj shtetit të Kosovës.

 Nëse ndihmojnë simbolikat në këso analizash, atëherë edhe fakti që Vuçiqi gjatë tërë takimit me Putinin kishte folur vetëm rusisht, mund të jetë indikacion që Serbia po shkon drejt shndërrimit të pakthyeshëm në satelit rus. Thënë thjesht, Serbia e Vuçiqit po shndërrohet në Serbi të Putinit. Serbisë së Putinit pritet t’i rikthehet roli i zjarrvënëses së Ballkanit, kësaj here për hesapet ekskluzive të Rusisë. Në dëm edhe të vetë Serbisë. (4 tetor 2018)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja kineze Fan Bingbing është gjobitur me një shumë të…