A po luan qeveria e Mickovskit me themelet e shtetit të Maqedonisë së Veriut
Shkruan: Prof. Dr. Ibrahim Gashi
Dy fjalë për Marrëveshjen e Ohrit (2001)
Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO) e vitit 2001 konsiderohet gjerësisht si një gur themeli i shtetit modern të Maqedonisë së Veriut. E nënshkruar më 13 gusht 2001, ajo shënoi fundin e një konflikti të armatosur gjashtëmujor midis qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Shqiptare (UÇK). Marrëveshja u ndërmjetësua me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, dhe hodhi themelet për një kornizë politike më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Rëndësia historike dhe praktike e kësaj marrëveshje konsiston mbi të gjitha në faktin se ajo i dha fund me sukses konfliktit të armatosur, duke shmangur rrezikun e një lufte civile në shkallë të gjerë. Duke adresuar kërkesat e grupit të dytë më të madh etnik në vend (shqiptarëve) përmes dialogut dhe negociatave, marrëveshja nënvizoi rëndësinë e zgjidhjes paqësore të konfliktit.
Më tej Marrëveshja pranoi natyrën multietnike të Maqedonisë së Veriut dhe synonte të siguronte të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike. Më saktësisht ajo parashikonte: Të drejtat gjuhësore: Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në komunat ku shqiptarët përbëjnë së paku 20% të popullsisë. Të drejtat kulturore: Mbështetje për ruajtjen dhe promovimin e identiteteve kulturore të pakicave etnike.
Përtej funksionit primar marrëveshja pati si aspekt të rëndësishëm, atë të decentralizimit të pushtetit, duke u dhënë një autonomi më të madhe komunave. Kjo kishte për qëllim të fuqizonte qeveritë lokale dhe të siguronte që pakicat etnike të kishin një zë më të fortë në proceset vendimmarrëse. Përfaqësimi proporcional në administratën publike dhe institucionet tjera shtetërore ishte një tjetër komponent kyç, duke siguruar që bashkësitë etnike të ishin të përfaqësuara në mënyrë të drejtë.
Marrëveshja si e tillë u hapi rrugë ndryshimeve kushtetuese për të pasqyruar të drejtat e pakicave dhe karakterin multikulturor të shtetit. Këto ndryshime që atëherë kanë formuar kuadrin ligjor dhe institucional për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar në veçanti sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe nevojën për mosdiskriminim.
Një segment tepër i veçantë sa i takon rëndësisë historike dhe politike të MKO është fakti se kjo marrëveshje duke adresuar tensionet etnike dhe duke promovuar qeverisjen demokratike, luajti një rol kryesor në stabilitetin e vendit. Ky stabilitet ishte thelbësor për aspiratat e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO, pasi respektimi i parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut është një parakusht për anëtarësim.
Si përfundim Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet një element themelor i shtetësisë dhe evolucionit demokratik të Maqedonisë së Veriut. Duke institucionalizuar të drejtat etnike dhe decentralizimin, ajo ka ofruar një kornizë për bashkëjetesë dhe stabilitet në një shoqëri multietnike. Suksesi i saj nënvizon rëndësinë e dialogut dhe kompromisit në ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Pse nuk bënë të vihet dorë mbi këtë marrëveshje përmes tentim ndryshimit të Ligjit mbi përdorimin e gjuhëve në RMV?
Nismat e pushtetit të ri në RMV që të amandamentohet Ligji mbi përdorimin e gjuhëve (LPGJ) në RMV është oguri më i keq dhe veprimi më i rrezikshëm i kabinetit aktual qeveritar në Shkup. Një nismë e tillë qoftë edhe si tentativë bartë me vetë konsekuenca serioze politike, sociale, kulturore, ligjore-institucionale, ekonomike dhe ndërkombëtare. Të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe e relativizojnë në çfarëdo forme rrezikun e prekjes së këtij ligji sigurisht se me apo pa vetëdije i kontribuojnë prishjes së një kohezioni të rëndësishëm në raportet midis dy komuniteteve më të mëdha etnike (maqedon dhe shqiptar) në Maqedoninë e Veriut, të arritur me MKO (2001) dhe të implementuar me këtë ligj, të miratuar në vitin 2018, duke e bërë gjuhën shqipe si gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoni të Veriut (shih: Neni 3 i LPGJ të RMV).
Nëse këto tentim ndryshime do të kalonin në Gjykatën Kushtetuese të RMV pasojat do të ishin, sikundër e thamë më lartë, të tilla që drejtpërdrejt apo kontekstualisht të kontribuojnë në destabilizimin e ekuilibrit të brishtë ndëretnik dhe të çojë në trazira të ripërtëritura politike ose sociale.
Gjithnjë në sensin hipotetik, por edhe lehtësisht të mundshëm që të ndodh, nëse Ligji në fjalë prekët në substancën e tij kjo do të mund të prodhonte një situatën kur partitë politike shqiptare etnike do ta kundërshtonin fuqimisht masën, duke çuar në ngërç politik, bojkot, apo edhe rënie të qeverive të koalicionit. Partitë nacionaliste maqedonase etnike, nga ana tjetër, mund të shfrytëzojnë situatën, duke nxitur polarizimin. Një efekt domino do të ishte pothuaj i pashmangshëm që një vendim i tillë të provokojë protesta dhe demonstrata, veçanërisht në rajonet me një popullsi të konsiderueshme shqiptare. Në rastin më të keq, mund të përshkallëzohet në përplasje të dhunshme, që të kujtojnë konfliktin e vitit 2001.
Pasojat e një skenari të tillë do të ishin edhe në planin social duke ndikuar drejtpërdrejtë në margjinalizimin e shqiptarëve dhe sulm ndaj identitetit dhe të drejtave të tyre, duke thelluar ndjenjat e përjashtimit dhe të pabarazisë, duke rritur kështu mosbesimin dhe tensionet ndërmjet maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve, që drejtpërdrejtë do të ndikonte aksesueshmëri të reduktuar të shqiptarëve në Shërbimet Publike, veçmas në zonat rurale.
Pa e ekzagjeruar në asnjë moment situatën që mund të prodhonte prekja e këtij ligji, konsiderojmë se pasojat do të jenë shumë më të mëdha se sa mund të parashikohen. Si konsekuenca potenciale në një situatë të mundshme të prekjes së këtij ligji do të mund të listonim edhe efektet e drejtpërdrejta negative në jetën ekonomike të shqiptarëve përmes ndikimit në rënien e ritmëve të zhvillimit rajonal duke përkeqësuar më tej sfidat demografike përmes rritjes së migrimit.
Në fund, por jo nga rëndësia ndërhyrja në përmbajtjet esenciale të Ligjit do të prodhonte pashmangshmërisht edhe konsekuenca ndërkombëtare për shtetin dhe popullin e RMV të tilla si dëmtimi i perspektivës së anëtarësimit në BE, duke rrezikuar negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe duke nxitur organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe aktorët rajonalë, veçanërisht Shqipërinë dhe Kosovën, që potencialisht do të ndikonte në marrëdhëniet diplomatike të tyre më RMV. Në sytë e partnerëve ndërkombëtar të Maqedonisë imazhi i Maqedonisë së Veriut si një shtet multietnik, do të lëkundej seriozisht, duke nxitur një perceptim se vendi i jep përparësi një grupi etnik mbi të tjerët.
Si përfundim humbja e përfaqësimit gjuhësor do ti bënte qytetarët shqiptarë të RMV të ndjejnë se gjuha dhe kultura e tyre po shtypen në mënyrë aktive, duke çuar kështu në humbjen e besimit në institucionet shtetërore dhe në perspektiven e ruajtjes së shtetit unitar të RMV.