A po na ngulfatin dhe sa po e rrezikojnë standardin e jetesës fajdet (huamarrja)?
Shkruan: Fadil Maloku
1. Kriza dhe pasiguria e madhe ekonomike, inflacioni evident, devalvimi i kohëpaskohshëm, po edhe politikat e pafavorshme kreditore me kamatat e larta që janë bërë të papërballueshme, kanë ndikuar që njerëzit e zakonshëm po edhe bizneset ambicioze të futen në huamarrje në mënyrë ilegale tek fajdexhinjët e ndryshëm. Duket që synimi për të mbijetuar i njerëzve të zakonshëm, po edhe ambicia dhe grykësia e madhe për të krijuar pasuri të shpejt e shfaqur tek biznesmenët që dëshirojnë pasurim të shpejt, ka bërë që si të parët ashtu edhe të dytët të mos ngurrojnë fortë që të futen në vorbullën e sjelljes deviante të fajdegjisë, apo dukurisë shumë të rrezikshme në shoqëritë e transicionit.
2. Padyshim që futja e njerëzve në spiralen e fenomenit të fajdeve, do prodhoj edhe pasoja e reperkusione tjera sociale, të cilat gjithsesi reflektohen në raportet ndërfamiljare dhe ato biznesore. Themi FAMILJARE, ngase, me shfaqjen e fajdexhisë fillon të rritet anonimiziteti, rritet dhuna, paraqitet pasiguria dhe kërcënohet dosido shëndeti mental i njerëzve; Themi BIZNISORE, sepse bizneset duke u futur në borxhe të mëdha dhe në pamundësi për t’i kthyer ato në afate të përcaktuara sipas “marrëveshjeve” (që zakonisht janë gojore, shkaku i fshehjes së gjurmëve) ato, vijnë deri te konfliktet midis fajdexhiut dhe atij që merr lekët hua.
3. Thënë më thjesht, ky lloj “transaksioni” padyshim ilegal, është jo vetëm i dëmshëm por edhe shumë i rrezikshëm si për sigurinë personale ashtu dhe shëndetin mental të shtetndërtimit dhe ekonomisë së vendit. Në rrafshin personal, jemi dëshmitar të shumë traumave, konflikteve po edhe tensionimeve familjare. Kurse në rrafshin social, ky fenomen që kryesisht ka të bëjë me huazimin e shumave të parave me norma të lartë të interesi dhe që mund të cilësohet edhe si krim i organizuar, në shoqëritë që ende nuk e kanë konsoliduar mekanizmin e kontrollit social, sjell pasoja e reperkusione të pariparueshme edhe ekonomike…