A po paraqet tarifa pengesë për importin e pajisjeve mjekësore
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen e tyre për institucionet e Kosovës që ta heqin plotësisht tarifën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Zyrtarë nga Departamenti i Shtetit kanë thënë se mosheqja e tarifës doganore është duke e dëmtuar popullin e Kosovës dhe duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër pandemisë së koronavirusit. Ata kanë theksuar se në këtë drejtim ka pengesa, pasi që po krijohen vonesa për hyrje në Kosovë të pajisjeve të nevojshme, duke potencuar se tarifa po pengon edhe rritjen ekonomike.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi me shtetet e rajonit, përveç Serbisë, është duke shkuar mirë në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe çështjen e bashkëpunimit rreth pandemisë. Ndërkaq, në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë në mënyrë specifike.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se qeveria është duke u siguruar që qytetarët e Kosovës të mos pësojnë kur bëhet fjalë për mallra esenciale për shkak të vendimeve, të cilat, sipas tij, janë marrë nga qeveria e kaluar. “Në përjashtim me shtetin e Serbisë me të cilin kemi disa mospajtime, me të gjitha shtetet e rajonit kemi një bashkëpunim shumë të mirë deri tani, sidomos në kuadër të luftimit me COVID 19, me ç’rast Qeveria e Kosovës ka marrë masa dhe vendimet e duhura, me qëllim të sigurimit e furnizimit të nevojshëm dhe të vazhdueshëm me mallra esenciale për qytetarët”, tha Kryeziu.
Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se aktualisht Kosova ka një furnizim të qëndrueshëm me medikamente por, siç thonë ata, është i nevojshëm që furnizimi të përforcohet edhe më tej.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për Radion Evropa e Lirë se për faktin që nuk dihet rrjedha e saktë e epidemisë së COVID 19, duhet një furnizim më i madh. Ai thotë se Kosova po shfrytëzon rrethana e lehtësime të ndryshme në mënyrë që të sigurojë importe të produkteve mjekësore. “Normalisht importin e produkteve e bëjnë qarkulluesit farmaceutikë, kompanitë e ndryshme. Është e natyrshme që në këtë kohë ka restrikcione, mirëpo po gjenden rrugë që të importohen edhe barna dhe ato të distribuohen për nevojat e sektorit shëndetësor”, tha Hoti.
Në Kosovë aktualisht janë duke funksionuar dy kompani prodhuese të produkteve dhe pajisjeve mjekësore, të cilat kanë ndërprerë tash për tash eksportin jashtë vendit për shkak të kërkesave të shtuara në tregun e brendshëm.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se aktualisht nuk janë duke u bërë importe të produkteve mjekësore. “Nga Serbia ka hyrje të mallrave, por kryesisht grurë dhe miell. Nuk ka import të mallrave mjekësore”, tha Stavileci.
Më 20 mars Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kryeministri, tani në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se vendimi “u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime për të liruar nga tarifa 100 % importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”, kurse më 1 prill qeveria tani në detyrë e Kosovës pritet të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100 %. Tarifën 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Që nga ajo kohë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë, e që u pasua me kërkesat e vazhdueshme të Uashingtonit e Brukselit për heqjen e kësaj mase.