A po përçahet “Lista për Familjen”?
Koalicioni Lisa për Familjen, figurativisht, i bie që ende nuk është familjarizuar mes vete.
Madje partneri kryesori i koalicionit, ka thënë se bashkëpunimi ka nisur me probleme, meqenëse personalisht i ka organizuar dy takime, por nga partnerët nuk ka marrë asnjë telefonatë e konsultim për hapat tutje.
Kjo është përgjigja të cilën ish-presidenti Behgjet Pacolli e ka dhënë të martën për Dukagjini duke theksuar se e ka humbur entuziazmin.
Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së, deklaroi se “ende jo, por të jem i sinqertë, kemi disa probleme. Unë nga ana ime, në fillim kam organizuar dy takime, me iniciativën time, me anëtarët e koalicionit, dhe pas atyre takimeve nuk kam marrë asnjë feedback, asnjë telefonatë apo konsultë lidhur me listat për deputetë dhe veprimet e tjera të lidhura me obligimet që dalin nga KQZ e që duhet të ndërmerren. Kjo më ka habitur shumë dhe, për të thënë sinqerisht, kam humbur mjaft entuziazmin”.
Gjatë ditës Dukagjini ka kontaktuar me kryetarin e Partisë së Drejtësisë, Ferid Aganin. Partneri i dytë në koalicionin trepalësh na udhëzoi që të kontaktojmë bartësin e Listës për Familjen.
Ne e dëgjuam këshillën e ish-ministrit të Shëndetësisë, por nuk arritëm të kemi një qëndrim të qartë.
Eman Rrahmani – Ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje tha se “S’kam ndonjë koment, asgjë hiq. (dmth. asnjë përgjigje nuk doni me e dhënë?), jo jo, s’kam, po mendoj s’kam çka me u përgjigjë për besë, atë që e ke parë ti edhe unë e kam parë, s’është që ka pasur ndonjë komunikim tjetër, duhet me u taku me të njëherë me të e pastaj (nuk kuptohet, me jep), ai s’është kësajde.”
Më 1 tetor, dy ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, e zyrtarizuan kalimin në “Listën për Familjen”, e udhëhequr nga Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.