A po përgatitet Finlanda për luftë me Rusinë?
Ndërsa Finlanda po i afrohet anëtarësimit në NATO, Rusia ka paralajmëruar se “do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës” në mënyrë që “të ndalojë kërcënimet ndaj sigurisë së saj kombëtare.”
Por duket se Finlanda është përgatitur për një konflikt të mundshëm me fqinjin e saj në lindje për dekada.
Që nga vitet 1960, qeveria finlandeze ka ndërtuar më shumë se 50,000 bunkerë në të gjithë vendin, të cilët mjaftojnë për të strehuar 80% të 5.5 milionë banorëve të vendit.
Një ekip i CNN vizitoi dy nga rreth 5500 strehimoret në Helsinki.
Salla e notit “Itäkeskus”, në verilindje të qytetit, mund të shndërrohet në një strehë në më pak se një ditë duke e kulluar ujin nga pishina e saj me madhësi olimpike.
Bunkeri Merihaka gjithashtu mund të kthehet në një strehë emergjente me kapacitet për 6000 persona brenda 72 orëve në rast krize.
Megjithatë, bunkeri nuk është i përshtatshëm vetëm për përdorim rekreativ.
Shkëmbi themelor 2 miliard vjeçar është rezistent ndaj shpërthimit dhe mund të thithë rrezatimin nga një bombë bërthamore, ndërsa tunelet e lakuar që kalojnë nëpër strehë “marrin pjesën më të madhe të goditjes”, sipas Tomi Rask, i cili punon për Departamentin e Shpëtimit të Qytetit të Helsinkit.
Rask shton se pavarësisht përgatitjeve të qytetit, ai nuk mund të parashikojë se si do të shkojnë gjërat “kur kaq shumë njerëz vendosen në një hapësirë të vogël.”
“Të gjithë kanë një rol këtu”, thotë ai.
Finlanda shpalli pavarësinë nga Rusia në 1917, duke refuzuar të rreshtohej me Bashkimin Sovjetik ose Shtetet e Bashkuara. Edhe pasi u bashkua me Bashkimin Evropian në 1995 dhe përafroi gradualisht politikat e saj të mbrojtjes me Perëndimin, ajo ende iu shmang anëtarësimit të plotë në NATO për shkak të kërcënimit gjeopolitik nga Rusia, me të cilën ndan një kufi prej 830 miljesh.3
Por kryebashkiaku i Helsinkit, Juhana Vartiainen, tha se qyteti “kurrë nuk kishte pasur ndonjë iluzion për Bashkimin Sovjetik, as pasuesin e tij, Rusinë”.
“Unë kam qenë më shumë i befasuar nga fakti që strehimore të tilla nuk ekzistojnë në të gjitha vendet evropiane,” tha ai.