A po përgatitet FSK-ja për të ndërhyrë në veri, tregon ministri Mehaj

24 shtator 2021 | 21:33

Situata e krijuar në veri të vendit, ku tash e pesë ditë serbët lokalë po i mbajnë të bllokuara rrugët që shpien në dy vendkalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinë, po shfrytëzohet nga disa media serbe, për të plasuar dezinformata të ndryshme.

Në kuadër të propagandës qëllimkeqe të këtyre mediave ishte edhe informata se kinse FSK-ja po përgatit trupat ushtarake për ndërhyrje në veri të vendit.

Ndaj kësaj propagande dhe dezinformateve të plasuara në disa media, ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar, reagon ndaj të gjitha lajmeve të rrejshme, propagandës qëllimkeqe, dezinformatave dhe shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta, të shpërndara në mesin e qytetarëve tanë në pjesën veriore të Kosovës, disa nga to edhe të publikuar në mediume. Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”.

“Ju rikujtojmë se, Ministria e Mbrojtjes me FSK-në, është  institucion shtetëror që realizon detyrat dhe kompetencat e saj në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in. FSK, është profesionale dhe multietnike, e formuar, ndërtuar dhe zhvilluar në bashkëveprim, koordinim dhe mbështetje të plotë të NATO-s, SHBA-së dhe partnerëve tjerë anëtarë dhe partnerë të NATO-s”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Mehaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Malishevës, Dren Kyreziu, ka thënë se rezultatet e…