A po presin LV-ja dhe LDK-ja ndërmjetësim ndërkombëtar për koalicion?
Formimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, është mesazhi që po përsëritet nga përfaqësuesit diplomatik ndërkombëtar në Prishtinë drejtuar partive politike, sidomos Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këto dy subjekte politike kanë ngecur në arritjen e marrëveshjes për qeverinë e re, për shkak të mospajtimeve të tyre rreth postit të presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas mandatit kushtetues duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.
Duke qenë se Kosova i ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 6 tetor dhe nuk ka një qeveri me funksione të plota që nga korriku, kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ata të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të lëvizin më shpejt drejt konstituimit të institucioneve, sidomos qeverisë.
“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për t’i çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, është thënë në deklaratën e BE-së. Kurse ambasada amerikane në Prishtinë ua rikujtoi partive politike se “njerëzit e Kosovës me padurim presin një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”.
Edhe më të drejtpërdrejtë në lidhje me negociatat për qeverinë e re ishin anëtarët e Parlamentit gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt. Gjatë një konference për medie në Prishtinë, ata dhanë një mesazh se tani është koha për formimin e qeverisë dhe jo për zgjedhjen e presidentit.
“Pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën në Kosovë ne mendojmë që kjo është java përfundimtare për krijimin e qeverisë”, ka thënë Schmidti.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje mban qëndrimin se marrëveshja duhet të përmbajë vetëm ndarjen e funksioneve qeveritare dhe miratimin e programit qeverisës. Opsioni i Vetëvendosjes është që posti i kryeministrit, një zëvendëskryeministër dhe pesë poste ministrore t’i takojnë Vetëvendosjes, kurse për LDK-në, parasheh një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.
Kurse LDK-ja kërkon që të ketë marrëveshje edhe për postin e presidentit, i cili do të zgjidhet më 2021, duke i ofruar Vetëvendosjes që si “kompenzim”, t’i ketë nën udhëheqje, jo pesë, por gjashtë ministri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: