A po rikthehet shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Gjermani?
Sa para ka Bundeswehri për avionë, tanke dhe pajisje të reja? Kjo është një dilemë e madhe, por edhe më e rëndësishme është pyetja: kush do t’i drejtojë ata avionë dhe kush do të ulet në tanke? Për një kohë të gjatë është diskutuar për rikthimin e shërbimit ushtarak në Gjermani, por nuk ka marrëveshje. Opozita CDU/CSU është e prirur të rikthejë shërbimin, qoftë civil apo nën armë, koalicioni qeverisës është shumë më tepër skeptik. Duhet pranuar që ministri socialdemokrat i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi se ishte një “gabim” që ishte hequr shërbimi ushtarak në vitin 2011, por ai nuk tha qartë, se cila mund të ishte alternativa sot.
“Pistorius qartazi dëshiron të diskutojë ide të ndryshme,” vlerëson Sophia Besch nga Carnegie Endowment for International Peace në Uashington. “Kjo shërben për të tërhequr më shumë vëmendjen ndaj Bundeswehrit si një punëdhënës i mundshëm.” Por as ministri dhe as qeveria nuk do të mund të ndryshojnë asgjë të rëndësishme, vetëm parlamenti.
Pasi shërbimi ushtarak ekzistonte për dekada si në Gjermaninë Perëndimore ashtu edhe në atë Lindore, ai mbeti një “e drejtë dhe detyrim” i qytetarëve të këtij vendi edhe pas Luftës së Ftohtë, edhe pse Bundestagu e pezulloi përkohësisht këtë detyrim në vitin 2011. “Pas krizës financiare, parimi kryesor ishte të “kursesh, kursesh”, përmbledh gjeneralmajor Wolf-Jürgen Stahl, president i Akademisë Gjermane për Politikat e Sigurisë. “Siguria, mbi të gjitha në lidhje me Rusinë, u vlerësua në mënyrë të ngjashme nga të gjithë: konflikti ka përfunduar, tani ne bëjmë gjithçka së bashku. Në atë kohë, heqja e shërbimit ushtarak ishte një vendim logjik edhe për mua”.
Vetëm me dëshirë – vështirë
Së bashku me Gjermaninë, edhe shumë vende të tjera të NATO-s kaluan në një ushtri shumë më të vogël, por profesionale. Nga fundi i Luftës së Ftohtë, në Gjermani kishte ende gjysmë milioni njerëz me uniformë. Aktualisht 181.500 ushtarë shërbejnë në të gjitha degët e ushtrisë gjermane. Por që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, politikanët në Gjermani kanë filluar të mendojnë ndryshe për ushtrinë. Tani plani është rritja e Bundeswehrit në 203.000 anëtarë deri në vitin 2031 – po si?
Në një vlerësim nga komisionerja e mbrojtjes e Bundestagut, Eve Högel, ajo shkruan se Bundeswehri do të “ketë probleme” për të gjetur këtë personel nëse mbështetet në një qasje vullnetare.
“Ne duhet të kemi një ushtri të fortë të aftë për të penguar edhe mendimin për t’u sulmuar,” përmbledh gjeneralmajori Stahl. “Atëherë kjo do të thotë se ne kemi nevojë për më shumë njerëz. Dhe si ta krijojmë këtë staf? Në tregun e punës, mendoj se do të të jetë e vështirë.”
Stahl flet për lidhjen e të drejtave dhe detyrimeve të qytetarëve në shërbimin ushtarak, por politika duhet të gjejë një ekuilibër në këtë. Vitet e fundit, Bundeswehri ka pasur një problem me simpatizantët e së djathtës ekstreme në radhët e saj, ndërsa shërbimi ushtarak është gjithashtu një mënyrë për të pasur njerëz me uniformë nga të gjitha pjesët e shoqërisë. Parimi i vjetër gjermanoperëndimor i “qytetarit me uniformë” është gjithashtu një garanci e një force të armatosur demokratike, e cila jo vetëm që do të tërheqë njerëzit që duan armët dhe uniformat.
Zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes gjermane thekson se një nga “faktorët vendimtar është kontributi që jep shërbimi ushtarak për një lidhje më të madhe mes shoqërisë dhe forcave të armatosura”.
Gratë? Dhe të huajt? Ku janë kazermat?
Por nuk është aspak e thjeshtë të rifutet rekrutimi. Fillimisht, drejt përfundimit të detyrimit ushtarak, lindi pyetja, a duhej të aplikonin për shërbim edhe gratë në emër të barazisë gjinore? Po qytetarët me origjinë të huaj?
Ndër të tjera, ekspertë gjermanë po studiojnë në detaje të ashtuquajturin “modeli suedez” të shërbimit ushtarak. Në Suedi rekrutohen të gjithë personat nga mosha 16 deri në 70 vjeç, e në procesin e rekrutimit të gjithë pyeten nëse duan të shërbejnë në mënyrë aktive në ushtri, shpjegon Sophia Besch. Duket se shpresojnë se do të ngjallin një interes për shërbimin edhe me rekrutim të detyrueshëm”. Në SHBA, kishte një llotari edhe para Vietnamit – data e lindjes së njerëzve që do të thirreshin në ushtri u përcaktua rastësisht, por pas asaj lufte nuk ka më. Të gjithë të rinjtë midis moshës 18 dhe 25 duhet të kalojnë përmes rekrutimit – nëse jo trajnimit dhe shërbimit. Kjo do të thotë gjithashtu se regjistrime të tilla nuk kanë shumë kuptim në rastin e rrezikut të menjëhershëm ushtarak.
Dhe në fund, nuk është vetëm çështja se ku mund të gjesh njerëz të gatshëm për të shërbyer, por problemi është edhe më banal: ku t’i strehosh ata pasi nuk ka më kazerma? Edhe për kontigjentin ekzistues është problem sigurimi i veshjeve dhe pajisjeve. “Unë mendoj se kjo shifër prej 2023 mijë është e mundur deri në vitin 2031. Ose të paktën mund të punohet për të arritur këtë shifër”, vlerëson Besch. /DW