A po rrënohet në themelet e shtetit maqedon

10 dhjetor 2024 | 12:42

Shkruan: Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës

Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të shqyrtojë një nga ligjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të miratuara në periudhën e pas Marrëveshjes së Ohrit – Ligjin për Gjuhët. Ky akt përfaqëson një gur themeli për barazinë gjuhësore dhe për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, një komunitet që përbën faktorin shtetformues pa të cilin RMV nuk mund të qëndroj si shtet.
Kontestimi i Ligjit për Gjuhët, veçanërisht dispozitat që përcaktojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, është një tentativë për të kufizuar të drejtat e fituara të shqiptarëve pas luftës çlirimtare, dhe për të minuar proceset e integrimit shoqëror e politik.
Reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke dërguar një letër informuese dhe alarmuese drejt SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, tregon shqetësimin për një tendencë të mundshme regresive që cenon jo vetëm barazinë qytetare, por edhe stabilitetin multietnik në vend.
Ky hap i BDI-së sugjeron gjithashtu një varësi nga komuniteti ndërkombëtar për të mbajtur balancat delikate në Maqedoninë e Veriut. Përfshirja e faktorëve ndërkombëtarë është një taktikë e përdorur shpesh për të ushtruar presion mbi institucionet vendase, veçanërisht në raste kur ekziston dyshimi për motive politike prapa vendimeve të gjyqësorit.
Ligji për Gjuhët nuk është thjesht një rregullim teknik apo administrativ por është i një rëndësie specifike në kontekstin politik dhe social, i cili simbolizon njohjen dhe respektin për diversitetin etnik dhe gjuhësor të Maqedonisë së Veriut. Zbatimi i këtij ligji ka qenë jetik për shqiptarët, duke siguruar që gjuha shqipe të përdoret në institucionet publike dhe të jetë një pjesë integrale e sistemit shtetëror.
Shqyrtimi i këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese ngre pyetje të rëndësishme rreth balancës mes reformave demokratike dhe presioneve të grupeve konservatore që mund të synojnë kufizimin e të drejtave të fituara me shumë përpjekje. Një vendim që cënon zbatimin e plotë të ligjit do të minonte frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të drejtat e komuniteteve tjera në vend.
Duke iu drejtuar SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, BDI-ja synon të ndërgjegjësojë aktorët ndërkombëtarë për pasojat potenciale të një vendimi që do të kufizonte të drejtat gjuhësore të shqiptarëve. Ky reagim thekson se çështja e Ligjit për Gjuhët nuk është vetëm një problem kombëtar, por ka edhe një dimension ndërkombëtar që lidhet me stabilitetin rajonal, proceset integruese dhe respektimin e standardeve demokratike. Një gjë që duhet të thuhet zëshëm është fakti se shteti i Maqedonisë së Veriut nuk mund të ekzistoj pa faktorin shqiptarë. Historia jo shumë e largët na tregon se si është mohuar ekzistenca e shtetit maqedonas, i cili edhe ashtu është krijim strategjik të cilin e kanë mohuar e pënguar kohët të gjatë Bullgaria duke e mohuar si entitet, apo dhe Greqia duke e mohuar në aspektin toponimistik, e Serbia me synime për ta mbajtur nën sundim ose ndarë. Kurse janë shqiptarët që e mbështeten dhe ndihmuan në konsolidimin e tij deri te pavarësimi dhe krijimi i identitetit duke i përvetësuar si histori maqedonase të gjitha vlerat historike të kombit shqiptarë dhe duke e marr emrin sipas territorit që është ilir.
Në një kohë kur Maqedonia e Veriut kërkon të forcojë pozitën e saj si një shtet demokratik dhe multietnik, shqyrtimi i Ligjit për Gjuhët nga Gjykata Kushtetuese përbën një test kritik për angazhimin e vendit ndaj barazisë dhe drejtësisë sociale.
Çdo vendim që do të cenonte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të rrezikonte jo vetëm arritjet e deritanishme, por edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të vendit. Institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të sigurojnë që ky ligj të mbrohet si një element kyç i kohezionit shoqëror dhe stabilitetit afatgjatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zlatan Ibrahimoviq po e shijon punën e tij si drejtues…