A po rrëshqet bota në një “luftë të re të ftohtë”

28 shkurt 2022 | 17:16

Shkruan: Prof. Ibrahim Gashi

Agresioni i hapur i Federatës Ruse mbi shtetin e pavarur të Ukrainës dhe pozicionimet e qarta të një pjese të botës demokratike përballë situatës së re të krijuar kanë rritur shqetësimet mbi rikthimin e një rendi botëror të dominuar nga kërcënimi, pasiguria dhe nga një paqe e brishtë dhe e rrezikuar në çdo çast.
Që në vitet e para të këtij shekulli tensionet për paqen dhe sigurinë botërore, që shpresohej se morën fund me mbarimin e Luftës së Ftohtë, filluan të rishfaqen njëra pas tjetrës. Terrorizmi që u mendua se do të jetë forma e luftërave të reja dhe kërcënimi i vetëm për vendet demokratike dhe të zhvilluara të botës, shpejt u pasua me luftime ndërmjet forcave autoritare dhe atyre reformatore si dhe shumë fraksioneve të brendshme sektare në vendet e Lindjes së Mesme, e njohur si “pranvera arabe”. Në vitin 2008 u rikthyen edhe invadimet ushtarake dhe ndërhyrjet e në sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti më të fortë ndaj një shteti më të dobët. Promotore e kësaj forme klasike të luftës ishte pikërisht Federata Ruse dhe udhëheqësi i saj autoritar Vladimir Putin, kur dha urdhrin për ndërhyrje ushtarake kundër shtetit të Gjeorgjisë (2008), duke i shkëputur atij dy krahina të banuara me përqindje më të madhe ruse, (Osetinë Jugore dhe Abkhazinë) dhe duke i njohur ato njëanshëm si shtetet të pavarura.
Federata Ruse do ta vazhdojë politikën e saj agresive edhe ndaj ish-republikave të tjera të BRSS-së, para së gjithash ndaj Ukrainës, si një nga shtetet më të mëdha që nuk ishte përfshirë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, por që një pjesë e popullsisë dhe e lidershipit të saj po e manifestonte një afiliencë të tillë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Ukrainës, si nga aspekti ekonomik, po ashtu edhe nga pozita e saj gjeostrategjike, Kremlini filloi ta paralajmëronte Kievin se nuk e dëshironte një Ukrainë në NATO as në BE, madje as një Ukrainë të pavarur dhe neutrale, por një Ukrainë ruse. Për të arritur këtë synim në politikën e tij të jashtme agresive lideri më autoritar i kohës sonë, Vladimir Putin, duke ndjekur skenarin e Gjeorgjisë, vendosi ta godiste Ukrainën në pikën më neuralgjike, por edhe më të dobët të saj, në atë të gadishullit të Krimesë. Në fakt, fati i Krimesë, por edhe i gjithë Ukrainës, siç e kemi parë, ishte i lidhur me preferencat e ndryshme të dy rrymave kryesore politike në vend, njërës pro perëndimore dhe tjetrës pro ruse. Pasojë e drejtpërdrejtë e politikës pro ruse të presidentit Yanukovich, i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2010, është kriza e Krimesë, e cila filloi në nëntor të vitit 1913, në një kohë kur presidenti Yanukovich abrogoi marrëveshjen e asociimit me BE-në dhe forcoi lidhjet me Moskën zyrtare. Një pjesë e ukrainasve filluan protestat në rrugë me kërkesë forcimin e lidhjeve me Evropën. Kësisoj edhe një herë po testohej disponimi dual i ukrainasve. Një pjesë e tyre me përkatësi etnike ruse ose me afiliencë politike pro ruse mbështetnin presidentin Yanukovich, derisa pjesa tjetër me afiliencë politike pro evropiane mbështetnin opozitën e udhëhequr dhe kërkonin lirimin e ish-kryeministres Yulia Timoschenko të cilën regjimi i Yanukovichit e kishte hedhur në burg me akuzën për korrupsion. Situata eskaloi. Protestat e opozitës morën përmasa të mëdha gjatë dimrit 2013/2014. Ndërhyrja e autoriteteve ishte brutale. Rrugët e Kievit u mbushën me protestues dhe barrikada. Me urdhrin e presidentit prorus u përdorën armët dhe ranë viktimat e para. Demonstruesit antiqeveritarë zunë ndërtesa në qendër të Kievit, përfshirë ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë. Trazirat lanë 98 të vdekur, rreth pesëmbëdhjetë mijë të plagosur dhe 100 konsiderohen të zhdukur. Autoriteti i presidentit Yanukovich filloi të lëkundej. Por largimi i tij nuk shënoi triumfin e opozitës. Në situatën shumë të nderë të krijuar në gadishullin e Krimesë, i cili dominohej numerikisht nga banorët më përkatësi ruse, shpërthyen trazirat dhe rebelimi qytetar. Qytetarët rusë të Krimesë filluan ta sfidojnë rendin kushtetues duke i bërë thirrje Kremlinit zyrtar për ndërhyrje. Ky i fundit në mënyrë shumë të koordinuar, duke shfrytëzuar praninë e madhe ushtarake në gadishull (një pjesë e flotës ruse ishte e stacionuar në ujërat e Krimesë për arsye strategjike, sipas marrëveshjes për pavarësinë e Ukrainës të vitit 1990). Më 18 mars 2014 Rusia dhe Krimea nënshkruan një traktat të aderimit të Republikës së Krimesë dhe Sevastopol-it në Federatën Ruse, edhe pse Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi në favor të një deklarate jodetyruese për ta kundërshtuar aneksimin rus të gadishullit.
Epilogu i tillë i Krizës së Krimesë shërbeu si uverturë multiplikuese e këtij skenari edhe në pjesët e tjera të Ukrainës, veçmas të Ukrainës Lindore të dominuar nga popullata me përkatësi etnike ruse. Në disa qytete në rajonet Donetsk dhe Lugansk, burra të armatosur, që e deklarojnë veten e tyre si milicia lokale, kishin konfiskuar ndërtesat qeveritare dhe stacionet e policisë. Bisedimet në Gjenevë mes BE-së, Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara rezultuan me një deklaratë të përbashkët diplomatike të referuar si Pakti i Gjenevës 2014, me të cilën kërkohej nga grupet e jashtëligjshme paramilitare të hiqnin dorë nga armët, të lironin ndërtesat qeveritare dhe t’i ktheheshin një dialogu politik që do të çonte në më shumë autonomi për rajonet e rebeluar. Bisedimet e Gjenevës nuk sollën pothuaj asnjë efekt të pritur. Zgjedhja e presidentit të ri ukrainas Poroshenko (i cili nuk njihet nga ekstremistët rusë, rrjedhimisht as nga vetë Rusia) dhe veçmas deklarata e tij në mbrëmjen e zgjedhjeve të datës 25 maj 2014 se “udhëtimi im i parë presidencial do të jetë për në Donbas dhe se “operacioni anti-terrorist i forcave qeveritare nuk do të zgjasë dy-tre muaj, por vetëm disa orë” shërbeu si impuls i ri për kryengritësit pro rusë, të cilët tashmë kishin shpallur autonominë e krahinave Donetsk dhe Lugansk. Në këso rrethanash Poroshenko iu drejtua Moskës për bisedime me ndërmjetësimin ndërkombëtar, kërkesë që u hodh poshtë nga Kremlini zyrtar, me arsyetimin se Rusia nuk do të bisedojë asnjëherë për Ukrainën me ndërmjetës ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, presidenti Poroshenko ka deklaruar se sovraniteti i Ukrainës do të ruhet, madje duke premtuar se ka për të ndjekur deri në fund kthimin e Krimesë nën sovranitetin e Ukrainës.
Fundi i vitit 2021 dhe veçmas muajt e parë të këtij viti shpërfaqen planet agresive që Putini kishte ndaj shtetit fqinj të Ukrainës. Tani në kulmin e dimrit në kufirin ruso-ukrainas, Kremlini dërgoi rreth 150 000 trupa në një stërvitje ushtarake që mund të cilësohet si kërcënimi më i hapur dhe i drejtpërdrejtë ndaj territorit të Ukrainës. Trajektorja e zhvillimeve nga gjysma e muajit shkurt filloi të dinamizohet. Sipas një plani mirë të përgatitur nga Putini dhe aparati i tij ushtarak, nxiten popullsinë e dy regjioneve të banuara me shumicë ruse, Lugansk dhe Donetsk, që të shpallin pavarësinë nga Kievi. Sigurisht që ky skenar i Putinit tashmë lexohej lehtë. Siç edhe pritej, Moska nxitoi që ta njohë sovranitetin e shpallur të këtyre regjioneve dhe për të qenë ironia e plotë e kësaj loje, Putini deklaroi që atje do të nisë një kontingjent ushtarak “paqeruajtës: për të mbrojtur këto dy entitete të vetëshpallura si sovrane. Ky skenar, në fakt, përbente “pretekstin” e Putinit për ta filluar agresionin ushtarak total mbi gjithë Ukrainën, me destinacion nënshtrimin e Kievit dhe kapjen ose vrasjen e kreut politik të pabindur, presidentit V. Zelenskit.
Tani kur nga data 24 shkurt, dita e fillimit të agresionit rus, edhe në ditën e pestë, Ukraina nuk po dorëzohet, përballë një stuhie të paparë sulmesh raketore dhe artilerike ruse në të gjitha qytetet e mëdha pa zgjedhur fare caqet, në skenë ka dalë një heroizëm i paparë njerëzor i popullit dhe udhëheqjes atdhedashëse ukrainase në krye me presidentin Zelenski, duke ngjallur admirimin dhe simpatinë më të madhe të botës liridashëse anekënd globit. Këto akte të rezistencës heroike të popullit të Ukrainës kanë bërë që vendet e fuqishme të Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të ndihen keq për injorimin që i kanë bërë seriozitetit të situatës duke reaguar fillimisht në mënyrë fare indolente dhe të fragmentarizuar.
Tani, në ditën e katërt, kur rezistenca dhe lufta dhëmbë për dhëmbë në mbrojtje të Kievit por, mbi të gjitha, fushata e sulmeve raketore, artilerike dhe ajrore ruse, kryesisht mbi caqe civile, duke lënë qindra civil të vrarë, si dhe një valë e madhe e refugjatëve ukrainas që po largohen në drejtim të vendeve fqinje, si duket kanë prekur ndërgjegjen dhe sigurinë e vendeve demokratike të BE-së dhe të NATO-s. Reagimet e fundit të Shtëpisë së Bardhë, të NATO-s dhe të BE-së janë në një sintoni të plotë dhe në përmbajtjen e tyre janë masat e duhura sa i takon ashpërsisë së tyre, por sigurisht relative sa iu përket efekteve të shpejta që do të mund të prodhojnë. Si përgjigje ndaj këtyre masave, dhe veçmas vendimit të vendeve të BE-së për ta furnizuar Ukrainën, (si shtet nën sulm), me armë dhe masa e largimit të Federatës Ruse nga sistemi i SWIFT-it, Putini ka dhënë urdhër ngritjen e shkallës më të lartë të alarmit dhe të gatishmërisë së armatimit bërthamor.
Në këtë situatë të re të krijuar shtrohet pashmangshëm pyetja kah po ecën rendi botëror? Një gjë tashme mund të pohohet me saktësi se agresioni ushtarak i Putinit në Ukrainë ka shënuar një ndryshim tektonik në politikën botërore dhe ka rritur rrezikun e konfrontimit të superfuqive dhe militarizimit të Evropës. Po ashtu, nëse i referohemi deklaratës së presidentit francez E. Macron, se “bota duhet të përgatitet për një luftë të gjatë midis Rusisë dhe Ukrainës pasi Moska filloi një pushtim të fqinjit të saj properëndimor”, apo deklaratës së djeshme të kongresistit demokrat nga Kalifornia Ro Khana sipas të cilit, “…Ukraina mund të përfundojë si Afganistani i Rusisë. Kjo me të vërtetë i lëndoi ata në Luftën e Ftohtë. Në planin afatgjatë, kjo do të jetë shumë e kushtueshme për Putinin, kështu që unë jam për sanksione dhe jam i hapur ndaj asaj që propozon administrata për atë që ne duhet të bëjmë për t’i ndihmuar ukrainasit nga perspektiva e mbrojtjes”. Edhe vendimi i djeshëm i kancelarit gjerman, në një seancë të jashtëzakonshme, të parën të mbajtur ditën e diel, për rritjen e buxhetit për ngritje të kapaciteteve ushtarake në 100 miliardë euro dhe fjalimi i tij para Bundestagut, ku Scholz e përshkroi sulmin rus në Ukrainë si një “pikë kthese” që kërkonte një përpjekje kombëtare gjermane për ta ruajtur rendin politik dhe të sigurisë në Evropë. Në këtë linjë duhet parë edhe vendimin e djeshëm të BE-së që, siç thuhet, “për herë të parë ndonjëherë, Bashkimi Evropian do ta financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera në një vend që është nën sulm”. Deklarata e kryeministrit britanik B. Johnson, dhënë me rastin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, “jam i tmerruar nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë dhe kam folur me presidentin Zelenskiy për të diskutuar hapat e ardhshëm. Presidenti Putin ka zgjedhur një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi duke nisur këtë sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të përgjigjen me vendosmëri.”
Këto reagime të Perëndimit të dhëna brenda katër ditëve të para nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe masat sanksionuese që po pasojnë këto deklarata, veçmas ato ekonomike, po e shpien rendin botëror drejt një konfrontimi të ri, të një shtrirje dhe shkalle shumë të madhe, çfarë nuk e kemi parë që nga Lufta e Ftohtë. Është akoma herët të konstatojmë se bota po rrëshqet drejt një lufte të re të ftohtë, por sigurisht se kjo mund të diskutohet në nivel të analizës. Herët sepse ende nuk kemi parë pozicionim të pjesës tjetër të botës, përkatësisht fuqive të mëdha aziatike si Kina. Indiferenca e saj në këtë tensionim të ri nuk do të jetë e gjatë. Konsideroj se efektet që mund të ketë largimi i Rusisë nga SWIFT dhe ngrirja e aseteve të saj në botë do t’i godisnin drejtpërdrejt marrëdhëniet tregtare të Rusisë me Kinën dhe kjo do ta shtyjë Kinën ta qartësojë qëndrimin e saj. Pamja mbi të ardhmen e rendit botëror mund të qartësohet më shumë, varësisht nga rrjedha dhe epilogu që mund të ketë lufta në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Perëndimi duhet të ndalojë menjëherë presidentin rus Vladimir Putin, sepse…