A po shndërrohet ndërtimtaria në rrezikuesin më të madh të jetës së punëtorëve?!
Nga: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)
Më 23 prill 2019 një i ri humbi jetën në Mitrovicë pasi u shemb një pjesë e hotelit “Adriatik” e që ishte duke u rinovuar. Po të njëjtën ditë u shemb në Fushë-Kosovë një objekt banimi që ishte duke u ndërtuar dhe, për fat të mirë, nuk kishte të lënduar e as jetë të humbura. Realisht, sot në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Në 99 për qind të tasteve e pësojnë punëtorët, në 1 për qind të rasteve dënohen simbolikisht punëdhënësit për ta vazhduar “vallen e vdekjes” të atyre që, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, detyrohen të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës. Kosova në përgjithësi, kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje, punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.
Trafiku është shndërruar në kaos ku kamionët e shumtë me dhe materiale inerte, cisternat me betone dhe mekanizmi ndërtues i rëndë, qarkullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit pa një orar të caktuar dhe pa kufizime drejtimesh kah mund të lëvizin. Jo rrallë kemi raste kur nga kamionët derdhet dheu apo materiali inert apo kur nga gypi i betonjerkës rrjedhë betoni që, përveç se e ndotin rrugën, në shumë raste edhe e dëmtojnë! KMDLNj, për këtë arsye është takuar me Inspektoratin e Punës të Kosovës për të gjetur një mënyrë të dilet nga kjo gjendje e cila, dita-ditës po bëhet më e vështirë dhe më e papërballueshme. Sidomos është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve në mesin e të cilëve ka persona të mitur. Inspektorati i Punës së Kosovës nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vendpunimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim.
KMDLNj, gjithashtu shpreh mospajtim të madh për dënimet e shqiptuara e të cilat janë tejet simbolike e që në Inspektoratin e Punës të Kosovës thonë se po veprojnë në përputhje me Ligjin. KMDLNj ka kërkuar heqjen e licencës së punës për punëdhënësit që nuk sigurojnë kushte për punë me ç’rast rrezikohet jeta e të punësuarve. Gjithashtu, KMDLNj ka kërkuar që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre. Për një punëdhënës që qarkullon dhjetëra milionë euro në fushën e ndërtimtarisë, dënimi prej 5 apo 10,000 euro është dënim për kafe prandaj edhe ka përsëritje të rasteve. Është e pabesueshme që edhe pas të gjitha jetëve të humbura për shkak të kushteve të punës, askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit. Shteti duhet të gjejë një mënyrë që familjet që e humbin anëtarin e familjes duhet të kompensohen dhe ta kenë një pension, jo më të vogël se paga e një të punësuari në ndërtimtari. Ose duhet të ashpërsojë gjobat në rast të humbjes së jetëve apo lëndimeve, ose duhet të rrisë taksat për leje ndërtimi e që një pjesë do të derdheshin në Fondin e viktimave të ndërtimtarisë por edhe në vendet e tjera të punës e ku përgjegjësia është e punëdhënësit.
Edhe planifikuesit më amatorë e kanë të qartë se Prishtina nuk ka nevojë për aq shumë ndërtime të banesave me ç’rast po rrënohen lagje të tëra, disa e japin tokën apo shtëpinë me vetdëshirë kurse disa të tjerë janë të kushtëzuar për faktin se këto ndërtime ua bëjnë jetën të pajetueshme duke ua ngushtuar hapësirën jetësore. Ka shumë dyshime se përmes këtyre ndërtimeve kaotike po bëhet pastrimi i parave dhe, deri më tani nuk është bërë asnjë hetim për këtë dhe se kush janë realisht pronarë të tokave. Prandaj, edhe po lejohen të gjitha këto raste që po përfundojnë me dhjetëra e dhjetëra punëtorë, kryesisht raste sociale, që e humbin jetën në vendin e punës.
KMDLNj vlerëson se, nëse nuk ndërmerren masat parandaluese për sigurimin e kushteve të mira për punë, humbja e jetëve do të vazhdojë kurse, të gjithë ne që e kemi një përgjegjësi, do të merremi me reagime gjykuese dhe me pasoja, që do të jenë shumë më të rënda nëse kemi parasysh që kantieret e ndërtimit kanë metastazuar dhe janë shtrirë në çdo pjesë të kryeqytetit.