A po tenton pushteti ta kapë edhe KQZ-në me shkarkimin e Dakës?

14 qershor 2021 | 16:04

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shkarkuar sot Valdete Dakën nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në vendimin e presidentes Osmani thuhet se kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në arsyetimin e vendimit të presidentes, Vjosa Osmani.

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” ka thënë se Kushtetua nuk ka paraparë si kompetencë të presidentit shkarkimin e kryesuesit së KQZ-së, por vetëm emërimin, shkruan “Epoka e re”.

“Kushtetua nuk ka paraparë si kompetencë të presidentit shkarkimin e kryesuesit së KQZ-së, por vetëm emërimin”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka pohuar se: “Në vend të mbrojtjes dhe garantimit të funksionimit kushtetues të KQZ-së, Presidentja po bënë të kundërtën, po e pengon atë. Këto ngjarje nuk mund të quhen ndryshe përveçse orvatje për kapje të KQZ-së”, ka thënë Krasniqi.

Daka para disa muajve kishte mbajtur një konferencë për media, në të cilën pati deklaruar se po i vijnë kërcënime nga LV-ja.

“Shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedente dhe të rrezikshme”, pati deklaruar ajo.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tash kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë një emisioni në Tv Dukagjini, më 20 janar, pati deklaruar në lidhje me moscertifikimin e 47 deputetëve, përfshirë këtu edhe kreun e partisë së tij, Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike dhe për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutuese.

“Personi i cili në KQZ po ndikon, që edhe kërkesa të jetë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka”.

“Kurrgjë ata nuk po zbatojnë, ata po duan eliminim politik”, pati deklaruar Konjufca.

Ndërkaq, edhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla tash ministër i Punëve të Brendshme pati reaguar, pas deklaratës së Dakës së ndihet e kërcënuar.

Sveçla ka thënë se Daka duhet ta dijë se nuk është vitit 2020, kur president i Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe se “Kosova tash ka presidente të re, znj. Vjosa Osmani”. Ai po ashtu pati thënë se Daka “nuk nuk bën që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së”.

Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është pesëvjeçar.

Ky ishte mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti me prejardhje serbe i Austrisë, Marko Arnautoviq, e ka…