A pritet të ketë krizë energjetike në Kosovë?
Muajt e dimrit, së bashku me motin e ftohtë, sjellin edhe kërkesë më të madhe për përdorim të energjisë elektrike.
Me rritjen e kësaj kërkese, tejkalohen edhe kapacitetet e shtetit të Kosovës për prodhim të energjisë dhe importi i energjisë bëhet i pashmangshëm në një kohë kur çmimet e rrymës në Evropë janë të larta.
Zyrtarë dhe ekspertë të energjisë, megjithatë thonë se nuk mund të parashikojnë një krizë energjetike apo rritje të çmimit të rrymës në Kosovë, që tashmë ka nisur të prekë shumë vende të Evropës përfshirë edhe Shqipërinë.
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë thotë se do të krijojnë një task-forcë “për koordinimin për dhënie të informacioneve dhe sugjerimeve se si duhet të përgatitemi në rast të thellimit të kësaj krize në Evropë dhe ndikimit të saj në Kosovë”.
Momentalisht nëpër gjithë Evropën, faturat për energji janë shumë të larta, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit.
Përveç rritjes sezonale të kërkesës për energji elektrike që çon në ngritje të çmimeve, tani ato janë rritur për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit dhe çmimeve të larta për prodhim të energjisë nga qymyri në vendet e Bashkimit Evropian.
Në këtë situatë po ndikojnë furnizimet më të vogla me gaz të lëngshëm për shkak të kërkesave më të mëdha në Azi, furnizimeve më të vogla me gaz nga Rusia dhe prodhimit më të vogël të energjisë së ripërtërishme.
Çmimet standarde të gazit evropian në qendrën holandeze TTF janë rritur për më shumë se 250 për qind qysh në janar, ndërsa kontratat standarde të Gjermanisë dhe Francës për rrymë janë dyfishuar.
Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar emergjencë për furnizimin me energji elektrike, pas rritjes së çmimit të energjisë në javën e fundit. Shqipëria ka thënë se do të ndaj 200 milionë euro për tejkalimi të krizës energjetike.
KEDS-i: Nuk mund të parashikohet rritja e çmimit
Kosova prodhon energji elektrike përmes termocentraleve me qymyr dhe në sasi shumë të vogla nga energjia e ripërtërishme, siç janë hidrocentralet.
Kjo energji shpërndahet te konsumatorët nga Kompania e Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS)
Me vetëm rreth 6 centë për kilovatë në orë, konsumatorët e Kosovës paguajnë më së liri energjinë elektrike në rajon.
Sipas të dhënave që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) i ka dhënë për Radion Evropa e Lirë, kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 ka qenë 1,110 megavatë.
Nga kjo sasi 86.5 për qind janë nga termocentralet dhe pjesa tjetër janë hidrocentrale dhe burimet të ripërtërishme të energjisë (hidrocentrale, centrale me erë dhe panele fotovoltaike).
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, thotë për Radion Evropa e Lirë se një rritje eventuale e çmimit varet nga nevoja që Kosova do të ketë për import të energjisë.
“Çmimet aktuale në berza janë tepër të larta, pra janë katër-pesëfishuar. Sigurisht që këto çmime kanë ndikim direkt në Kosovë pasi ne jemi pjesë e këtij tregu”, thekson Buzhala.
Ai thotë se sezoni i dimrit zakonisht shoqërohet me një rritje të konsumit të energjisë elektrike deri në 50 për qind, por sipas tij, kjo nuk do të thotë se mund të pritet një krizë energjetike.
“Nuk mund të paragjykojmë çka do të ndodhë, pasi këto janë vetëm pritje dhe nuk e dimë saktë sesa do të jetë konsumi, sa do të përdoret energjia elektrike për ngrohje, çfarë moti do të mbajë, sa do të jetë prodhimi vendor etj”, thotë Buzhala.
Rritje të çmimit të energjisë nuk parasheh për vitin 2021 as Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Më 7 tetor, Bordi i ZRRE-së ka aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët e rregulluar.
Sipas ZRRE-së për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU)/KESCO janë aprovuar të hyrat maksimale në vlerë prej 290.1 milion euro, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) janë aprovuar në vlerë prej 38.94 milionë euro ndërsa për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) janë aprovuar të hyra në vlerë prej 90.51 milionë euro.
ZRRE-ja ka thënë se kanë marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit, çmime këto që janë jashtë kontrollit të operatorëve.
“Megjithatë, rritja e të hyrave si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë në ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë në vitin tarifor 2021”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Sipas Qeverisë së Kosovë, madje, në Evropë ka indikacione që tregu do të stabilizohet.
INDEP: Qeveria të përgatitet për krizë energjetike
Një rritje e menjëhershme e çmimeve të energjisë nuk po parashihet as nga ekspertë të fushës.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) thotë se kostoja që shkaktohet nga rritja e çmimeve mund të vërehet në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Sa do të jenë përmasat e kësaj kostoje mbetet të shihet në muajt në vazhdim, sidomos në muajt maj dhe prill kur do të bëhet barazimi vjetor i kostove që na janë shkaktuar dhe kur të bëhet rishikimi vjetor i tarifave të energjisë elektrike”, thotë Abazi.
Abazi thekson nevojën e pashmangshme të Kosovës për importin e energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit.
Ndërkaq, nga Ministria e Ekonomisë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka treguar se tani për tani rekomandohet që qytetarët të jenë të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.
“Ekspertët rekomandojnë që aq sa është e mundur të mos përdoret energjia elektrike për ngrohje gjatë dimrit. Masat adekuate do të merren varësisht nga nevoja. Aktualisht nuk ka nevojë për masa të tilla por jemi pro-aktiv në rast se do të ketë nevojë në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas Abazit, duhet siguruar që do të ketë energji të mjaftueshme për të gjithë, për të shmangur rrezikun e krizës me furnizim.
“Pastaj duhen masa sa i takon sigurimit që ekziston një fond i konsumatorëve në nevojë, që mund të preken më së shumti nga ndonjë rritje eventuale e çmimit të energjisë dhe ky fond duhet themeluar menjëherë nga Ministria e Financave bashkë me Ministrinë e Ekonomisë”, thotë ai.
Krizë apo jo, nuk ndihet në veri
Sado të që të jetë çmimi i energjisë elektrike në Kosovë, kjo nuk vërehet në disa komuna të Kosovës.
Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.
Megjithatë, qytetarëve në veri i shkojnë faturat për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet” i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në maj të këtij viti ka ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës për qytetarët në komunat e veriut.
Vazhdimi i pagesës së kësaj energjie të shpenzuar po konsiderohet e pakuptimtë edhe nga hulumtuesi Abazi. “Tashmë kemi koston që është e paarsyeshme. Një pjesë e qytetarëve në mënyrë diskriminuese nuk do ta kenë hallin e rritjes së çmimeve të energjisë sepse nuk e paguajnë”, thotë ai.
Ndërkaq më parë, rryma e shpenzuar në veri ishte paguar nga qytetarët e zonave të tjera të Kosovës.
Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor ka marrë vendim që detyron KEDS-in që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove, për t’iu kompensuar dëmin konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në veri.