AAB-ja fillon aplikimin e metodës së mësimit nga distanca
Si masë preventive për t’ u mbrojtur nga pandemia Covid 19, Kolegji AAB ka filluar aplikimin e metodës së mësimit në distancë për të gjithë studentët. Në kuadër të platformave origjinale të krijuara tash e sa kohë për shërbime elektronike për studentë, Kolegji AAB në këtë situatë ka krijuar edhe një mundësi shtesë për studentët, platformën Klasa Virtuale, përmes së cilës sipas orarit të ligjëratave po zhvillohen ligjëratat në kohë reale në të gjitha programet studimore.
Plaforma Klasa Virtuale, e cila është krijuar enkas për mësimin në distancë, krijon mundësi që studentët dhe mësimdhënësit të komunikojnë në kohë reale dhe të krijojnë interaktivitet në lidhje me temat që diskutohen. Platforma qysh në orët e para të lansimit ka dhënë sinjale për përdorim masiv nga studentët. Kjo metodë e re e mësimdhënies për studentë krijon mundësi që studentët nga shtëpitë e tyre të mos shkëputen nga procesi mësimor dhe të jenë të angazhuar në studimet e tyre. Nga ana tjetër, Kolegji AAB komunikimin online po e përdor edhe për takimet e stafit punonjës duke mos lënë hapësirë që situata e krijuar të shkaktojë vonesa apo ngecje në funksionimin e institucionit. Ndërkohë, Kolegji AAB ka shprehur gatishmërinë që me ekspertizën e vet të ndihmojë edhe institucionet e tjera arsimore, parauniversitare e universitare, që ta realizojnë mësimin në distancë në këtë situatë të jashtëzakonshme.