AAC-ja: Udhëtarët mund të kërkojnë kompensim nga ‘ALK Airlines’ për vonesat e shkaktuara
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (ACC) ka bërë me dije se më 24 korrik 2019, aeroplani i kompanisë ajrore “ALK Airlines” gjatë fazës së nisjes së fluturimit nga Shtutgarti për në Prishtinë ka pësuar një rrjedhje të lëngut hidraulik nga aktivizuesi i spoilerit të fluturimit në krahun e djathtë.
Sipas këtij autoriteti, ekuipazhi i fluturimit e ka ndërprerë nisjen dhe ka kthyer aeroplanin në platformë, duke i zbritur të gjithë udhëtarët nga aeroplani, ndërsa kompania ajrore është munduar ta riparojë defektin e shkaktuar.
“Mekanikët e angazhuar nga kompania kanë rregulluar defektin dhe përfundimisht, aeroplani është nisur nga Shtutgarti rreth orës 18:40 dhe ka arritur në Prishtinë në orën 20:24, me një vonesë të përgjithshme prej 6 orësh e 24 minutash. Të nesërmen, më 25 korrik 2019, inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës kanë kryer një inspektim SAFA (inspektim në platformë i mjeteve ajrore të operatorëve të huaj) të aeroplanit ‘LZ-MVK’ të ‘ALK Airlines’, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’”, është thënë në njoftimin e ACC-së.
Gjatë këtij inspektimi, inspektorët nuk kanë konstatuar ndonjë gjetje që do të ndikonte në sigurinë e këtij mjeti ajror për fluturim.
“AAC është në dijeni për pakënaqësitë e udhëtarëve për situatën e krijuar lidhur me vonesën e fluturimit ‘VBB3208’ të kësaj kompanie ajrore për të cilat shprehim keqardhje, por njëkohësisht i informojmë të gjithë udhëtarët se sipas legjislacionit në fuqi mund të kërkojnë kompensim nga kompania ajrore për vonesën e shkaktuar”, është thënë në njoftimin Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
/Epoka e re/