AACK-ja: Të dialogohet për të gjetur zgjidhje të pranueshme në aeroportin ‘Adem Jashari’
Sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është mbajtur greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve nga ora 08:00 deri në orën 09:00.
Sipas paralajmërimeve të mëhershme nga kjo sindikate, greva do të vazhdoj edhe nesër me 20.08.2019 nga ora 08:00 deri në ora 10:00, ndërsa pasnesër me 21.08.2019 do të zhvillohet për tetë orë.
“Inspektorët e AAC-së gjatë kohës së grevës kanë vëzhguar për së afërmi vijimin e operimeve në pajtim me rregullat dhe standardet e zbatueshme për siguri të operimeve dhe nuk kanë vërejtur parregullsi. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës edhe njëherë ju bën thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e dialogut social për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për palët. Ju bëjmë thirrje udhëtarëve që të monitorojnë komunikatat e ANP ‘Adem Jashari’ dhe të planifikojnë itinerarin e udhëtimeve në koordinim të ngushtë me kompanitë ajrore apo përfaqësuesit e tyre”, thuhet në njoftimin e AACK-së.
Punëtorët përmes kësaj greve po kërkojnë kompensim dhe përfitime tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesa e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas Ligjit të Punës dhe pagesa e shujtës.
/Epoka e Re/