AAK i bashkohet protestës për Trustin, do tu ndryshohet mendja deputetëve që janë kundër
Ka dështuar të kalojë në Komisionin për Ekonomi aprovimi për shqyrtimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit.
Por, pavarësisht kësaj, ligji do të dërgohet në Kuvend.
Ndërsa nesër në Prishtinë do të ketë protestë pro tërheqjes së parave të Trustit.
Mbështetje protestës i ka dhënë edhe AAK.
Deputeti i kësaj partie, Pak Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se Grupi Parlamentar është takuar me organizatorët e protestës.
“Protesta e qytetarëve është një e drejtë e tyre të cilën kosovarët do ta shfrytëzojnë ditën e enjte për të reaguar në lidhje me tërheqjen e Trustit. Ne si Grup Parlamentar i AAK-së kemi takuar përfaqësues nga Grupi organizator i Protestës mbi tërheqjen e 30% të Trustit, dhe pa dyshim që i kemi ofruar mbështetjen tonë”, tha ai për Gazeta Blic.
Lekaj vlerëson se protesta është paqësore dhe se ideja është që tu bëhet thirrje deputetëve që ta votojnë Projektligjin për tërheqjen e Trustit.
“Të enjten protestohet në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe ideja është që tu bëhet thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 % të Trustit”, theksoi deputeti.
E, se a do t’ua ndryshojë mendjen deputetëve që janë kundër Trustit, Lekaj mendon se duhet dhe do të ketë ndikim, derisa shton se Projektligji duhet të kalojë pasi qytetarët kanë nevojë.
“Mendoj që kjo protestë duhet dhe do të ndryshojë mendjen e atyre deputetëve skeptik ose me dy mendje të cilët nuk kanë vendosur ende për t’i ndihmuar qytetarët. Uroj që ky Projektligj të kalojë sepse qytetarët kanë nevojë”, deklaroi Pal Lekaj.