AAK-ja arrin koalicionin e parë në Gjakovë për balotazh?

21 tetor 2021 | 12:39

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjakovë tashmë ka përfunduar negociatat me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Gjakovë, për të marrë mbështetjen e votuesve të PDK-së për Ardian Gjinin për kryetar të Gjakovës në garën për balotazh më 14 nëntor.

Lajmin e ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” një burim brenda AAK-së në Gjakovë.

Sipas pajtimit mes AAK-së dhe PDK-së ndarja e pozitave qeverisëse do të bëhet sipas fuqisë së votës.

Po ashtu i njëjti burim ka thënë se AAK-ja është afër koalicionit edhe me dy partitë tjera PSHDK-në dhe Nismën Socialdemokrate të cilat kanë fituar mandate në kuvendin komunal.

Në zgjedhjet e 17 tetorit AAK-ja dhe kandidati i saj për kryetar komune, Ardian Gjini është renditur i pari me 18 382 vota ose 46%, i pasuar nga kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me 14 819 vota ose 37.08%, PSHDK-ja dhe kandidati i saj Ferdinand Kolaj ka marrë 2 652 vota ose 6.64%, LDK-ja me kandidat Teki Shalën ka marrë 2 237 vota ose 5.60%, PDK-ja me kandidaten për kryetare Arbënesha Kuqin ka marrë 1 353 ose 3.39%, ndërsa Nisma Socialdemokrate me kandidat Fazli Hoxhën ka marrë 517 vota ose 1.29 për qind.

Ndërsa votat për asamble të këtyre partive janë kështu: AAK-ja ka marrë 11 076 vota, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 10 496 vota, PDK-ja ka marrë 4 729 vota, LDK-ja ka marrë 4 331 vota, PSHDK-ja ka marrë 3 982 vota, Nisma Socialdemokrate ka marrë 1 359 vota, IRDK-ja ka marrë 498 vota dhe Partia e Drejtësisë ka marrë 209 vota.

Pasi që asnjeri kandidat nuk ka marrë votat e mjaftueshëm për të udhëhequr me komunën e Gjakovës në raundin e parë, në balotazh kanë shkuar kandidati i AAK-së, kryetari aktual, Ardian Gjini dhe kandidatja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Edhe gjatë qeverisjes së kaluar AAK-ja ka qenë në bashkëqeverisje me PDK-në, PSHDK-në dhe Nismën. AAK-ja në gjysmë të mandatit qeverisës në Gjakovë e ka larguar nga koalicioni PDK-në dhe ka vazhduar me PSHDK-në dhe Nismën Socialdemokrate, ku në prag të zgjedhjeve lokale, Gjini ka shkarkuar nga pozitat e drejtorëve Ferdinand Kolajn e PSHDK-së dhe Fazli Hoxhën e Nismës, pasi të dy ishin kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e…