
AAK-ja as nesër nuk e voton Albulena Haxhiun për kryeparlamentare
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka bërë me dije se as në vazhdimin e nesërm të seancës konstituive partia e saj nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun.
Ajo ka thënë se opozita nuk është bllokuese në Kuvend.
“Jo s’do ta votojmë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Ne do të marrim pjesë në seancë, por është obligim i mazhorancës dhe partisë që ka marrë shumicën për të siguruar 61 vota që të kalojë kryeparlamentari. Nuk po e bllokon opozita, s’po e pengojnë seancën partitë e tjera. Kurti duhet të fillojë të gjejë bashkëpunim, të gjejë votat që kur hidhet në votim kryeparlamentari t’i ketë 61 vota sepse pas kryeparlamentarit kemi parë deputetë të LV-së që nëpër studio televizive që kanë thënë se për qeveri i kemi votat, por jo për kryeparlamentar si ndodh kështu, nëse i kanë për qeveri pse si kanë ato vota edhe për kryeparlamentar. Është obligim i partisë së madhe t’i sigurojë votat edhe për kryeparlamentarin, ka thënë Kadrijaj për “RTV21”.