AAK-ja e gatshme për zgjedhjet lokale, Lekaj: Prishtinën e fitojmë me Daut Haradinaj
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se kanë analizuar dobësitë e tyre gjatë zgjedhjeve të përgjithshme dhe se tashmë janë të gatshëm për zgjedhjet lokale.
“Pas zgjedhjeve të përgjithshme ne menjëherë ju kemi qasur zgjedhjeve lokale, ku kemi analizuar gjendjen dhe kemi parë dobësitë se ku nuk kemi dalë mirë në zgjedhjet e përgjithshme. Ne jemi në terren tërë ditën, dhe mendoj se jemi në të përgatitur si asnjëherë më parë që të dalim fitimtarë dhe të jemi të parët”, ka thënë Lekaj.
Më tutje, ai ka thënë se janë të parët sa i përket disa prej komunave, duke theksuar se pretendojnë të marrin një pjesë të konsiderueshme të tyre në zgjedhjet lokale.
“Kur them se jemi të parët nëpër komuna, është se ne kemi qenë me shtatë komuna më parë e tash jemi me gjashtë komuna pasi kryetari i Obiliqit është larguar, por ne pretendojmë edhe komuna tjera si Peja, Istogu, Prishtina, Podujeva e që janë shumë kandidatët atraktiv”, ka thënë Lekaj për “EO”.
Lekaj ka thënë se për kryetar të Prishtinës kanë një kandidat profesionist, dhe më të devotshmin, duke shtuar se Prishtina do t’i sjell fitore kësaj partie.
“Mendoj që Prishtinës ju kemi ofruar njeriun më të devotshëm, më punëtorin më profesionistin dhe që e ka dëshmuar që e donë Kosovën dhe që qytetarët e kanë një zgjedhje të shkëlqyer për Prishtinën”, ka thënë Lekaj.