AAK-ja: Ftesa e Gjykatës Speciale për Haradinajn, e padrejtë dhe e palogjikshme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vlerësuar se ftesa e Gjykatës Speciale për liderin e kësaj partie, Ramush Haradinajn është e padrejtë dhe e palogjikshme.
Pavarësisht kësaj, AAK-ja ka theksuar se Haradinaj dhe kjo parti do të dalin fitues edhe në këtë betejë dhe do të rikthehen më fuqishëm se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit të Kosovës.
“Vlerësojmë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, si pasojë e ftesës krejtësisht të palogjikshme dhe të padrejtë nga Gjykata Speciale, ishte akti i vetëm i një kryeministri të përgjegjshëm. Deklarata e vetë kryeministrit, se nuk mund të lejojë të paraqitet përpara kësaj Gjykate si Kryeministër i shtetit të Kosovës, e bënë këtë akt të tij, vendim të pashembullt të një lideri, që interesin e vendit e ka mbi gjithçka!
“Kryetari Haradinaj dhe AAK-ja si parti, edhe pse për këto 20 vjet, janë sfiduar nga situata prej më të vështirave, do të vazhdojnë që të mbrojnë lirinë, sovranitetin dhe interesat e popullit dhe të shtetit të Kosovës me çdo çmim. Vlerat e krijuara dhe shteti i shpallur në kufijtë ekzistues më 2008, për ne do të jenë përherë të shenjta. Ramush Haradinaj dhe AAK-ja, do të dalin fitues edhe në këtë betejë dhe do të rikthehen më fuqishëm se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit të Kosovës!”, është thënë në reagimin e AAK-së.
/Epoka e re/