AAK-ja i kërkon qeverisë të lidhet me gazsjellësin amerikan dhe të investojë në energji me linjit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë veprime të guximshme dhe të sakta sa i përket krizës energjetike në vend.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për medie ka thënë se situata e energjisë në vend është e jashtëzakonshme. “Jo vetëm në Kosovë po gjithandej ekziston një krizë serioze në raport me energjinë, duke ditur se kapacitetet e energjisë, pesë blloqet e Kosovës A dhe dy blloqet e Kosovës B janë në gjendje të rëndë si në raport me remont ashtu edhe me prodhim. AAK-ja propozon qëndrimet e saja që janë jetike dhe urgjente”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se AAK-ja e konsideron jetike fokusin e politikave të shtetit në investime në strategji, ku prioriteti numër një duhet të jetë investimet e shtetit në sektorin e energjisë. “Përmirësimi i gjendjes në sektorin e energjisë mund të ndodh me vetëm tri vendime të sakta, të guximshme dhe të drejtpërdrejta në investime në sektorin e energjisë. E para, dhe më urgjentja lidhet me nisjen e procedurave të shtetit të Kosovës në investime në energji me linjit, të fillojnë ndërtimet e kapaciteteve të reja, ndërtimi i një termocentrali të ri që do të zëvendësonte termocentralet e vjetra. E dyta, duhet të stimulohet dhe subvencionohet energjia alternative, ajo me erë solarja dhe po ashtu hidrocentralet e vogla për të cilat duhet të kemi analizë të saktë ku nuk dëmtohet natyra dhe ambienti i Kosovës E treta, gazsjellësi amerikan i cili siguron burimin e gazit amerikan dhe lidhjen e qëndrueshme të Kosovës me rrjetin evropian dhe vendet e rajonit që e kanë bërë këtë lidhje”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka shtuar se AAK-ja nga sot ka nis procesin e konsultimit publik me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë se pse Kosova duhet të ketë investime në energji në vendin më të pasur me linjit.