AAK-ja insiston në hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist në veri, Çeku kërkon ngritjen e kapaciteteve ushtarake dhe policore
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka organizuar të martën një tryezë diskutimi në lidhje me situatën e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministra të sigurisë, ish-drejtorë të Policisë së Kosovës, ekspertë të çështjeve të sigurisë në vend si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Para diskutimit të pjesëmarrësve është mbajtur edhe një minutë heshtje në nderim të rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku.
Pastaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ngjarja e 24 shtatorit është sulm terrorist dhe se sponsor i këtij terrorizmi është Serbia.
Haradinaj ka thënë se për këtë sulm terrorist duhet të ketë hetim ndërkombëtar.
“Një mundësi e mirë për një diskutim sa më të kujdesshëm që përputhet me situatën e sigurisë që është e ndjeshme. Unë kam tri momente që i kish prezantuar. E para është ajo që ka ndodhur me 24 shtator është terrorizëm e po ashtu edhe Serbia në bazë të gjitha të gjeturave e kualifikimeve si sponsor i terrorizimit. Është interes i paqes në rajon që bashkësia ndërkombëtare të merr një pozicion të qartë që të ndëshkohet Serbia për sponsorizoi sulmin terrorist. Për këtë duhet një hetim ndërkombëtar. Pjesa tjetër është që Kosova nuk bën asnjë herë me humb fokusimin nga obligimet e marra pra nga plani franko-gjerman. Nuk duhet me heq dorë nga qëllimi ynë i arritjes së paqes në Kosovë dhe rajon. I përgëzoj institucionet e vendit për punë ë që e kanë bërë në ditën kritike”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa Agim Çeku, ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se sulmi që ka ndodhur më 24 shtator është sulm terrorist i mbështetur nga Serbia.
Sipas tij, Kosova duhet të fokusohet në politikën të jashtme dhe të rrisë kapacitetet ushtarake dhe policore në vend.
“Ajo çfarë ka ndodhur deri më tani kemi të bëjmë fjalë me terrorizëm dhe me Serbinë si sponsor të terrorizimit. Unë mendoj se sot situatë e sigurisë është stabile, por na ka ardhur edhe një mundësi që këtë stablitite ta shfrytëzojmë. Është mese e qartë se Serbia si sponsor tani është në një pozicion s’i ka qenë të dielën, para kësaj ka qenë me e favorshme se sa Kosova. Tani ajo është në fazën defanzive për t’u shfajësuar nga ky veprim terrorist. Ka humbu fuqia e tyre. Mendoj se në anë tjetër ne kemi dalë faqe bardhë-fitues dhe reagimi ka qenë bindës, i suksesshëm edhe pse fatkeqësisht e kemi humbur një policë”.
“U pa se sa është e rëndësishme bashkëveprimi më NATO-n, ShBA-më dhe BE-së. Shihet sa e vlefshëm është kjo”.
“Gjithë e dimë se siguria kombëtare mbështet në pesë shtylla. E para dhe më shumë rëndësi është politika e jashtme. Apeloj që diplomacia jonë të jetë bindës dhe shumë aktive. E dyta është ndërtimi i kapaciteteve, e treta është policia, e katërta është inteligjenca që është kyçe në paralajmërimin e hershëm dhe e pesta është plani kombëtar i reagimit në çfarëdo lloj emergjence. Këto janë pesë shtyllat që duhet të fuqizohen”, ka thënë Çeku.
Në anën tjetër, Sheremet Ahmeti ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se në këtë rast është shumë e nevojshme mbështetja materiale e policisë, raporton “EO”.
“Njësia Speciale i ka dhënë kapacitetet e veta të nevojshëm për ta ndalë atë sulm terrorist. Policia e Kosovës ka mjete për t’u ballafaquar, por jo mjaftueshëm. Për këto 24 vjet ne nuk kemi helikopter. Kujdesi duhet që të jetë në nivelin e duhur. Në këtë kohë e dini që policia duhet të mbështetet materialisht sepse nuk e ka të rregulluar statusin. Që 25 vjet nuk ka sigurim, nuk ka shtesa dhe nevoja e pensionimit të parakohshme është e nevojshme”, ka thënë Ahmeti.
Më tutje, profesori i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se duke parë rrezikun në veriun e vendit do të duhet që të shikohet edhe një herë marrëveshja e ish-kryeministrit Hashim Thaçi që e ndalon FSK-në që të patrullojë në veri.
Kurse eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se në këtë çështje duhet të diskutohet edhe përfshirja e Rusisë. Sipas tij, “Serbia është dorë e zgajtur e Rusisë”.
Në fjalën e tij, Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë se pas këtij sulmit duhet të rritet vigjilenca dhe të analizohet çdo i huaj që hynë në Kosovë, pasi sipas tij, mund të ketë persona që mund të hyjnë që të marrin informacione.