AAK-ja kërkon nga kryeministri Kurti t’i rrisë pagat e mësimdhënësve
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i rrisë pagat e mësimdhënësve.
Nga kjo parti kanë thënë se seanca e sotme e Kuvendit nuk duhet të përcillet me fjalime të zakonshme, por me qëndrime konkrete nga ekzekutivi.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, për nderë të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rriten pagat në sektorin e arsimit.
Tahiri në një konferencë për media ka thënë se më shumë se 23 mijë mësimdhënës presin sot nga kryeministri lajmin për Ligjin e pagave.
“Arsimi ka qenë shtylla e vetme që ka lartësuar ndjenjën se ne do të kemi shtet të pavarur. Secili mësimdhënës e ka kokën lartë. Mbi 23 mijë e 250 mësimdhënës të cilët kanë rrogë 470 euro presin lajmin për ditën kur do të hyjë në fuqi ligji i pagave dhe presin shtesën që ata duhet të marrin nga shteti”.
“Nëse shohim vetëm fjalime ky është edhe mashtrim i radhës. Kryeministri duhet t’i lë fjalimet por të marrë vendime për të rritur pagat e sektorit të arsimit. Këtë çështje duhet ta trajtojmë më partitë opozitare dhe gjendja në energji është shume problem. Rritja vazhdon të jetë peshë mbi supet e qytetarëve”, ka thënë Tahiri.