AAK-ja kërkon nga qeveria që të ndalojë menjëherë ndërhyrjet politike në kompanitë publike
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për dështimin e bordeve të kompanive publike në përmbushjen e detyrave të tyre kryesore dhe për shkeljet flagrante që po ndodhin në menaxhimin e këtyre kompanive.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore shpreh shqetësimin e saj të thellë për dështimin e bordeve të kompanive publike në përmbushjen e detyrave të tyre kryesore dhe për shkeljet flagrante që po ndodhin në menaxhimin e këtyre kompanive. Raste të tilla janë dëshmi e qartë e mungesës së përgjegjshmërisë dhe kontrollit të duhur nga ana e institucioneve kompetente”, është thënë në reagimin e AAK-së.
Reagimi i plotë:
Dështimi i bordeve të kompanive publike në menaxhim dhe shkeljet e vazhdueshme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore shpreh shqetësimin e saj të thellë për dështimin e bordeve të kompanive publike në përmbushjen e detyrave të tyre kryesore dhe për shkeljet flagrante që po ndodhin në menaxhimin e këtyre kompanive. Raste të tilla janë dëshmi e qartë e mungesës së përgjegjshmërisë dhe kontrollit të duhur nga ana e institucioneve kompetente.
Një rast i papranueshëm është evidentuar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) Hidromorava, ku bordi i kësaj kompanie jo vetëm që ka dështuar të përmbushë objektivat e përcaktuara në Planin e Biznesit, veçanërisht në lidhje me uljen e humbjeve të ujit në sistemin e ujësjellësit dhe realizimin e investimeve kapitale për përmirësimin e rrjetit, por gjithashtu ka kryer shkelje të rënda. Në një akt të papërgjegjshëm, bordi ka lejuar heqjen e logos së kompanisë nga vetura zyrtare e kryeshefit ekzekutiv, duke i mundësuar këtij të fundit përdorimin e automjetit edhe për qëllime personale.
Ky veprim është vetëm një shembull i keqmenaxhimit që karakterizon shumë kompani publike, përfshirë edhe raste të ngjashme të evidentuara në Komunën e Gjilanit dhe atë të Gjakovës. Kujtojmë se kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, ka ngritur shqetësime të ngjashme për situatën e kompanive publike në këtë komunë.
Për më tepër, shqetësues është fakti se kryesuesja e bordit të KRU Hidromorava, e cila njihet për lidhjet e saj të ngushta me partinë në pushtet, është përfshirë në listën e ngushtë për anëtarësimin në bordin e ri të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), siç është publikuar më 2 dhjetor 2024. Ajo renditet e gjashta në listë dhe ka shumë gjasa të përzgjidhet si anëtare e këtij bordi, duke dëshmuar edhe njëherë se qeveria Kurti nuk është e interesuar për performancën e mirë të kompanive publike, por për sigurimin e kontrollit mbi to për të lejuar keqpërdorime.
AAK-ja dënon ashpër këto praktika dhe kërkon nga qeveria që të ndalojë menjëherë ndërhyrjet politike dhe të marrë masa të menjëhershme për të garantuar menaxhimin e duhur dhe përgjegjshmërinë në kompanitë publike.
E ardhmja e kompanive publike nuk duhet të jetë peng i interesave personale dhe politike, por duhet të bazohet në transparencë, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj interesit publik.