AAK-ja kërkon nga qeveria ta rrisë buxhetin për bujqësinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se investimi në bujqësi do ishte i qëlluar pasi konsiderohet si ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend.
Në tryezën e organizuar nga grupi parlamentar i kësaj partie me temën zhvillimin ekonomik përmes bujqësisë, Haradinaj ka kërkuar që prioritet i ekzekutivit të jetë edhe zgjerimi i rrjetit të ujitjes.
“Dihet që bujqësia është burim themelor i ushqimit dhe dihet se sa e rëndësishme është ushqimi për çdo vend, po ashtu i rëndësishëm i punësimit, angazhon shumë njerëz dhe përmes bujqësisë sigurohet lënda e parë dhe ajo që është shumë me rëndësi i ulë pakënaqësitë te shtresat e ulëta. Për këtë arsye diskutimi i sotëm ka rëndësi dhe ne duhet të fokusohemi edhe te veprimet që do ta përmirësonin dhe do ta zhvillonin bujqësinë”.
“Rritja e buxhetit për bujqësinë deri në dyfishim dhe nuk do të ishte investim i gabuar dhe vetvetiu për të gjitha kategoritë dhe një veprim tjetër i rëndësishëm do të ishte zgjerimi i rrjetit të ujitjes”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, e ka vlerësuar si të vogël buxhetin e vitit 2024 për bujqësinë.
Ai ka thënë se është dëshmuar se qeveria Kurti nuk e ka prioritet bujqësinë.
“Buxheti për vitin e ardhshëm për bujqësi është 89 milionë euro, duke përfshirë paga dhe mëditje, grante dhe subvencione dhe kjo dëshmon se qeveria Kurti nuk e ka prioritet bujqësinë. 74 milionë euro për grante dhe subvebcione dhe këto mund të rriten dhe duhet të rriten”, ka thënë Latifi.
Në anën tjetër, profesori universitar, Imer Rusinovci, ka thënë se është e papranueshme “që bujku blen naftë në Kosovë sikurse një (qytetar) që vozitë veturë”.