AAK-ja kërkon rivotim në Istog
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka ushtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar anulimin e rezultatit zgjedhor në Istog, sipas të cilit fitues ka dalë Haki Rugova i LDK-së përball Gani Dreshajt të AAK-së.
Lajmin e ka konfirmuar sekretari organizativ i AAK-së, Valon Tolaj.
“Përkundër vullnetit politik të mëhershëm të AAK-së që mos të ushtroj ankesa në organet gjyqësore në lidhje me procesin zgjedhor, kësaj radhe në funksion të mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të Istogut për ndryshim, AAK-ja ka ushtruar ankesë në PZAP me kërkesë për anulimin e rezultatit final të KQZ-së dhe kthimin e të drejtës për vendosje tek qytetarët”, ka deklaruar Tolaj.
Sipas tij, rezultati final i KQZ-së ka ardhur si pasojë e shkeljeve serioze të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (nenit 45), veprimeve të jashtëligjshme përmes blerjes së votave dhe presioneve mbi qytetarët përmes asistimeve në votim edhe të moshave të reja. Kjo sipas tij është konfirmuar edhe nga vëzhgues neutral të shoqërisë civile.
“Diferenca prej 14 votave me këto shkelje të faktuara, nuk e bën fitues askënd. Procesi zgjedhor tashmë është kontaminuar dhe e vetmja rrugë për dalje nga kjo situate dhe shmangien e shkeljeve kushtetuese është rivotimi”, ka thënë Tolaj.