AAK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme për shëndetësinë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është duke i mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme parlamentare ku duan ta adresojnë situatën e shëndetësisë në vend.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se gjendja në shëndetësi është mjerueshme.
“Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme parlamentare në lidhje me gjendjen e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore”.
“Arsyeja se pse e kemi bërë këtë është se ekziston një gjendje vërtet e mjerueshme në shëndetësi, me ç’rast vazhdojnë që të jenë ende aktuale dhe duke u rritur listat në pritje, pastaj vazhdojnë problemet e njëjta me listën esenciale të barnave në shërbimin klinik universitar të Kosovës. Pastaj, vazhdojnë që të mbeten problemet e njëjta lidhur me infrastrukturën e dobët në shëndetësi dhe njëkohësisht vazhdon që të persistojë ikja e personelit shëndetësor jashtë vendit pra atë që me shumë mund dhe përvojë e kemi ngritur”, ka thënë Dreshaj në një konferencë për medie.
AAK-ja ka kërkuar nga qeveria Kurti që shëndetësinë ta ketë prioritet të qeverisjes së saj.