AAK-ja kërkon veprime të menjëhershme për ujin e pasigurt të Badovcit
08 tetor 2024
| 14:07
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me cilësinë e ujit nga Liqeni i Badovcit. Sipas raportimeve nga KRU Prishtina dhe IKSHPK, uji nuk është i sigurt për konsum për shkak të përqendrimeve të larta të manganit, një problem që po përsëritet.
Partia opozitare thekson se ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të manganit mund të shkaktojë dëmtime neurologjike dhe zhvillimore të trurit, veçanërisht tek fëmijët. “Kjo situatë përbën një rrezik të madh për shëndetin publik dhe kërkon veprime të menjëhershme,” thuhet në reagimin e AAK-së.
AAK po ashtu kritikon ashpër mungesën e veprimeve konkrete nga ana e KRU Prishtina dhe Qeverisë së Kosovës për të parandaluar përsëritjen e këtij problemi. “Trajtimi i ujit në fabrikën e Badovcit vazhdon të mbetet i papërmirësuar, sidomos lidhur me problemin e manganit,” theksoi ai, duke shtuar se mungesa e planifikimit dhe investimeve adekuate ka kontribuar në mosmenaxhimin e kësaj krize.
AAK-ja ngre pyetje të rëndësishme lidhur me përgjegjësinë institucionale, duke kërkuar llogari nga KRU Prishtina, Qeveria e Kosovës dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU). Partia opozitare kërkon investime të menjëhershme në teknologji të reja për përmirësimin e trajtimit të ujit dhe planifikim afatgjatë për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.
REAGIMI I PLOTË:
Sipas raportimeve nga KRU Prishtina dhe IKSHPK, uji nga liqeni i Badovcit nuk është i sigurt për konsum për shkak të përqendrimeve të larta të manganit, problem që është përsëritur në fund të vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023. Megjithatë, as KRU Prishtina dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar përsëritjen e këtij problemi, duke e paraqitur këtë situatë si të zakonshme, pasi ndodh çdo vit.
Sipas ekspertëve të cilësisë së ujit, ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të manganit mund të shkaktojë dëmtime neurologjike dhe zhvillimore të trurit, veçanërisht tek fëmijët, si dhe të ndikojë negativisht në funksionimin e mëlçisë dhe veshkave. Kjo situatë përbën një rrezik të madh për shëndetin publik dhe kërkon veprime të menjëhershme për të shmangur dëmtime të mëtejshme.
Ndërkohë, trajtimi i ujit në fabrikën e Badovcit vazhdon të mbetet i papërmirësuar, sidomos lidhur me problemin e manganit. Mungesa e planifikimit dhe investimeve adekuate ka kontribuar në mosmenaxhimin e kësaj krize, pasi nuk janë kryer investimet e nevojshme për të shmangur përsëritjen e problemeve të tilla.
Në përpjekje për të përballuar këtë situatë, KRU Prishtina ka filluar të shpërndajë ujë përmes auto cisternave në disa lagje, një masë që zakonisht ndërmerret në raste emergjente. Megjithatë, për shumë banorë, sidomos për ata që jetojnë në apartamente, kjo ka krijuar një situatë të vështirë. Banorët detyrohen të përshtatin jetën e tyre përreth orareve të shpërndarjes së ujit, duke përjetuar stres dhe shqetësime të vazhdueshme. Përballja e përditshme me sfidën e bartjes së ujit dhe mungesën e furnizimit të qëndrueshëm krijon edhe pasiguri për shëndetin publik, pasi mungesa e furnizimit me ujë të pastër për konsum dhe higjienë mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore.
Disa pyetje që kërkojnë përgjigje janë:
– Pse KRU Prishtina nuk ka ndërmarrë masa për përmirësimin e trajtimit të ujit, kur ky problem është i njohur dhe përsëritet çdo vit?
– Cili ka qenë roli i Qeverisë së Kosovës, e cila vazhdimisht ka trumbetuar se tani ndërmarrjet publike menaxhohen nga borde dhe menaxhmente profesionale?
– Cili ka qenë roli i ARRU-së, si autoritet rregullator dhe I pavarur, për të parandaluar dhe mos lejuar përsëritjen e këtij problemi?
Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme, përfshirë investime në teknologji të reja për përmirësimin e trajtimit të ujit, monitorim të vazhdueshëm të cilësisë dhe planifikim afatgjatë për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.
LINK: https://www.facebook.com/share/p/kGBtxqEQA5wvLfsN/