AAK-ja, Lajçakut: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në vizitës zyrtare në Prishtinë është takuar edhe me përfaqësuesit e AAK-së, të cilët janë pjesë e qeverisë.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka bërë me dije se AAK-ja ia ka prezantuar Lajçakut pozicionin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.
“Në takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak prezantuam përkushtimin e AAK-së për procesin e dialogut dhe qëndrimin e pandryshuar për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Roli aktiv i ShBA-së në dialog, për të cilin ka qenë i zëshëm dhe këmbëngulës në vazhdimësi kryetari Haradinaj, ka rritur shpresat se dialogu Kosovë-Serbi, i zgjatur për një dekadë do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Për shkak të qëndrimeve të ndryshme përbrenda BE-së në lidhje me ndryshimin e territoreve, ka ndodhë një lëkundje e besimit”.
“Megjithatë, Aleanca përshëndet angazhimin e BE-së në dialog, nën udhëheqje të ShBA-së. Në kuadër të takimit, ritheksuam, se BE-ja para së gjithash, pas plotësimit të të gjitha kritereve, Kosovës t’i japë një vendim të shpejtë për heqjen e regjimit të vizave”, ka thënë Selimi.