AAK-ja mbledh 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme për koeficientet e pagës

02 tetor 2023 | 18:40

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se kjo parti këtë javë do t’i ketë dy aktivitete: e para, ka të bëjë me gjendjen e sigurisë, dhe e dyta, për koeficientin e pagës për punëtorët në sektorin publik.

Ai ka theksuar se siguria në vend, pas ngjarjeve të së dielës së kaluar (24 shtator) kërkon një reflektim më serioz, për shkak se efektet e kësaj situate po e prekin këtë fushë në nivel të shtetit.

“Në këtë funksion, AAK-ja do të organizojë një tryezë për të diskutuar çështjen e sigurisë në vend. Arsyeja është, që do të duhej një reflektim më serioz të asaj se çka ka ndodhë të dielën dhe të diskutohet për situatën në vend”.

“E dyta, AAK-ja ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme, ku do të kërkojmë rritjen e koeficientit të pagës nga 105 në 129 euro. Të parët që do të përfitonin nga rritja e pagave janë policët e Kosovës”, ka pohuar Tahiri.

Ai ka thënë se e shohin si shumë të rëndësishme që të kalojnë nga fjalët në vepra, në përgjigje të një situatë e cila është shumë problematike, në veçanti për një numër të madh të shërbyesve civilë.

“Në këtë temë besoj se do të kemi mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, është mbajtur sot…