AAK-ja më 30 qershor mban Kuvendin e punës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues.
Në këtë mbledhje u caktua data 30 qershor për Kuvendin e Punës. Në Kuvendin e Punës do të paraqiten për aprovim ndryshimet statutare që ndërlidhen me procesin e reformës dhe fuqizimin e demokracisë së brendshme partiake.
“Ndryshimet statutare kanë të bëjnë me themelimin e departamentit të gruas; themelimin e Institutit ‘Qendra për Hulumtim dhe Strategji’ si dhe komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve dhe nominimeve. Në këtë kuvend do të paraqitet për miratim Kodi Etik i hartuar konform modeleve të avancuara të partive nga demokracitë e avancuara. Në këtë Kuvend, do të paraqitet qasja e re e partisë karshi rritjes së vazhdueshme të anëtarësisë dhe ngritjes së popullaritetit nëpër të cilën po kalon AAK. Këshilli Drejtues konform statutit, paraprakisht i aprovoi të gjitha këto dokumente, të hartuara me ekspertizën e organizatave që mbështesin forcimin e demokracisë”, është thënë në njoftimin e AAK-së.
/Epoka e re/