AAK-ja me rezolutë mbështetëse për ta përkrahur atë të PE-së lidhur me sulmin e 24 shtatorit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të propozojë rezolutë mbështetëse për të përkrahur atë të Parlamentit Evropian (PE) lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin e ka bërë me dije shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, në një konferencë për medie.
“Rezoluta e PE-së që përmban 28 pika në të cilat flitet për zhvillimet e fundit politike dhe procesin e dialogut, e dënon fuqishëm këtë agresion në veri. Grupi parlamentar i AAK-së do t’i propozojë Kuvendin mbajtjen dhe miratimin e një deklarate politike për dy çështje. E para një rezolutë mbështetëse nga Kuvendi për rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila si asnjë herë më parë e ka dënuar sulmin në Banjskë. Unë nuk e di a e keni parë këtë rezolutë, por kjo rezolutë e PE-së e dënon në masën më të madhe Serbinë në sulmin terrorist në Banjskë. Nëse e marrim pikën e parë, e dënon me gjuhë shumë të ashpër dhe quan sulm terrorist dhe i bën thirrje vendeve anëtare që nëse nuk e kanë dënuar, ta bëjnë sa më shpejt”, ka thënë Tahiri.