AAK-ja: Miratimi i planit hapësinor, detyrë urgjente

07 nëntor 2024 | 15:03

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar vonesat në miratimin e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale të Kosovës, duke theksuar se mungesa e këtyre dokumenteve është duke e penguar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe veçanërisht sektorin e turizmit malor.

“Mungesa e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale po shkakton zhvillim të paorganizuar, dëmtim të mjedisit dhe kufizim të investimeve strategjike”, është thënë në reagimin e AAK-së.

Sipas subjektit politik, komunat dhe investitorët janë duke u ballafaquar me vështirësi të mëdha në vendimmarrje dhe në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Partia opozitare ka theksuar se miratimi i këtyre dokumenteve do të mundësonte zhvillimin e integruar të turizmit malor, duke identifikuar zonat me potencial të lartë turistik dhe duke ofruar siguri për investitorët.

“Një qeveri e ardhshme e Aleancës do të angazhohet në thjeshtësimin e procedurave për lejet ndërtimore dhe hartimin e një ligji të posaçëm për zonat turistike malore”, është thënë në reagimin e AAK-së, duke shtuar se do të aplikohen politika fiskale stimuluese për investitorët që përmbushin standardet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky subjekt politik ka paralajmëruar se situata aktuale rrezikon të dëmtojë mjedisin përmes ndërtimeve të pakontrolluara dhe të pengojë rritjen e mirorganizuar të vendit.

Po ashtu, AAK-ja ka propozuar një sërë masash konkrete, përfshirë përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkomunal për menaxhimin e destinacioneve turistike malore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Filadelfia, Pennsylvania, SHBA shkruan: Prof. Dr. Fejzulla Berisha Për…