AAK-ja organizon tryezën e radhës me partitë politike
Tryezat e përbashkëta me partitë politike do të vazhdojnë të organizohen edhe më tutje.
E fundit e këtij lloji ishte organizuar nga PSD-ja e Shpend Ahmetit, tryezë në të cilën morën pjesë të gjitha partitë parlamentare shqiptare në vend.
Para PSD-së, tryeza të tilla ishin organizuar edhe nga LDK-ja, PDK-ja dhe Vetëvendosje.
Partia e Albin Kurtit kishte vënë si temë të vetme diskutimi, arritjen e një konsensusi politik për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Mirëpo, kjo temë është duke u konsideruar si e mbyllur nga partia që do të organizojë tryezën e radhës me partitë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Deputeti i këtij subjekti, Muharrem Nitaj, ka konfirmuar për “lajmi.net” se me të tilla tryeza do të vazhdohet, mirëpo ende nuk është diskutuar për një datë të mundshme.
“Nuk e kemi vendosur akoma se kur, por që sigurisht do të vazhdojë me organizimin e këtyre tryezave, nuk e kemi diskutuar as temën kryesore që do të diskutohet në këtë tryezë, por tema e zgjedhjeve si çështje që diskutohet në këto tryeza është e mbyllur”, ka thënë Nitaj.
E përkundër radhës duke u bazuar në përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës, e cila i përket AAK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes shefit të grupit parlamentar, Avdullah Hotit, ka bërë me dije që së shpejti do të organizojë një tryezë përfundimtare për arritjen e një konsensusi për zgjedhjet e parakohshme.