AAK-ja: Përpjekjet për të na implikuar në përleshjet në LDK, shpifje
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas apostrofimit të emrit të saj për përfshirje në procesin e brendshëm zgjedhor të LDK-së, ku të dielën në nëndegën e Matit të kësaj partie ka ndodhur një përleshje fizike në mes të delegatëve.
Partia e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se personi i përmendur si i implikuar në Kuvendin zgjedhor të nëndegës së LDK-së në Mat nuk është anëtar i AAK-së.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e respekton procesin e brendshëm zgjedhor në LDK dhe e konsideron çështje të brendshme të saj. Është në interesin e demokracisë në vend një proces i shëndoshë zgjedhor në të gjitha partitë politike, e edhe në LDK. Por nuk mundemi të mos vërejmë se përplasjet e brendshme në LDK dhe përpjekjet e grupeve të caktuara për të marrë kontrollin e partisë, ndonjëherë duke degjeneruar edhe në përplasje fizike, janë shëmtuese për vet LDK-në. Për më tepër përpjekjet për të implikuar AAK-në në këto incidente janë shpifje dhe përpjekje për të mbuluar defektet e brendshme të LDK-së. Personi i përmendur si i implikuar në Kuvendin Zgjedhor të Degës së LDK-së në Mat, nuk është anëtar i AAK-së! Ne si parti i kemi punët tona dhe pos respektimit të zgjedhjeve të brendshme në LDK, nuk kemi asnjë interes tjetër”, është thënë në reagimin e AAK-së.
/Epoka e re/