AAK-ja propozon amandament për buxhetimin e Ligjit të Pagave në vlerë prej 85 milionë euro

03 dhjetor 2021 | 13:25

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka njoftuar se kjo parti ka propozuar amandament për buxhetimin e Ligjit të Pagave në vlerë prej 85 milionë euro, në mënyrë që ky ligj të hyjë në zbatim nga 1 marsi i vitit 2022.

Njoftimi i plotë i Besnik Tahirit në Facebook:

Sot, në grupin tonë parlamentar kemi përgatitur një amandament për buxhetimin e Ligjit të Pagave në vlerë prej 85 milionë euro, në mënyrë që ky ligj të hyjë në zbatim nga 1 marsi i vitit 2022.

Ky ligj, është jetik për zyrtarët publikë, e po ashtu për funksionim më të mirë të administratës shtetërore, si dhe për përmbylljen e reformës shtetërore të institucioneve të Kosovës.

Buxheti prej 85 milionë eurosh për këtë amandament, do të sigurohet nga zvogëlimi i disa kodeve buxhetore në mënyrë që ta jetësojmë këtë ligj.

Për rritjen e kategorisë “Mallra dhe Shtesa”, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës propozon dy alternativa:
1. Të rriten të hyrat buxhetore për këtë vlerë për 85 milion euro; ose
2. Të ulen kategoritë tjera të shpenzimeve për vlerën prej 85 milion euro. Kategoria e Shpenzimeve Kapitale, Kategoria e Mallrave dhe Shërbimeve dhe Fondi Kontigjent, janë kategoritë me mundësi të uljes për të rritur kategorinë e “Pagave dhe Shtesave”.

I rekomandojmë Qeverisë që të rrisë pagat, në mënyrë që qytetarët të përballojnë koston e rritur të jetesës si pasojë e rritjes së çmimeve dhe të marrë masa sa më parë që të rritë pagën minimale dhe të subvencionojë sektorin privat që të rrisin pagat.

Shpresoj dhe besoj që këto rekomandime tona ndaj Qeverisë dhe ky amandament për buxhetimin e Ligjit të Pagave do të gjejë mbështetje në seancën parlamentare.

Faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit…