AAK-ja propozon rezolutë për liberalizimin e vizave

03 gusht 2022 | 14:20

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar rezolutë në lidhje me mosliberalizimin e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian (BE).

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë debatit parlamentar ka deklaruar se përmes kësaj rezolute, deputetët do të shtyjnë përpara reformat për shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsionit e zbatim të ligjeve.

Po ashtu, Tahiri ka theksuar se qeveria duhet të punojë në avancimin e platformës shtetërore, varësisht zhvillimeve të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se kjo rezolutë është e nevojshme dhe kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

“Është momenti vendimtar kur Kuvendi i Kosovës në pajtim të plot me detyrimet kushtetuese, paraqes këtë rezolutë për të shprehur qëndrimet si më poshtë: Deputetët e Kuvendit zotohen se do t’i shtyjmë përpara të gjitha reformat që garantojnë shtetin e së drejtës, nismat kundër korrupsion, projektet për punësim dhe zhvillim, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, garancinë për institucionet e pavarura, mbikëqyrjen e rreptë të qeverisjes në raport me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe garantimin e çdo standardi evropian mbi të dhënat personale dhe gjendjes civiles, kontrollin e trafikimit me qenie njerëzore dhe luftimin e pakompromis të të gjitha formave të trafiqeve me narkotikë”, ka thënë ai.

Përmes kësaj rezolute, Tahiri ka thënë se të gjitha subjektet politike zotohen dhe angazhohen në sigurimin e garancive që institucionet ligjzbatuese i kanë dhënë shteteve anëtare të BE-së në raport me sigurimin e lëvizjes së lirë. “U bëjmë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës, si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE. Ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes. Kuvendi fton Këshillin Evropian të marrë vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shengen për qytetarët e Kosovës. Qeveria e vendit të punojë në avancimin e platformës shtetërore, politike, ekonomike kundruall zhvillimeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, përfshirë refuzimin eventual të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdimin e status quo-s dhe të gjithashtu pozicionimit të Republikës së Kosovës pas këtyre zhvillimeve. Platforma duhet t’i prezantohet kuvendit për miratim”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga ekzekutivi përfshirjen e ekspertëve për të ndihmuar në këtë platformë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e interesit tek kreditë e qytetarëve të Kosovës duket…