AAK-ja reagon ndaj ministres Haxhiu pas deklaratave për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë: Çfarë ndodhi me rastin Dehari?
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka reaguar ministres së Drejtësisë, pas deklaratave për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë.
AAK-ja ka vlerësuar se ministrja Haxhiu ka shkelur të gjitha ligjet, dhe s’ka lënë gjyqtar apo prokuror pa sulmuar.
Postimi:
Reagim ndaj shpifjeve të ulëta të Ministres Haxhiu
Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund. Nuk ka vend tjetër ku ministri i drejtësisë e sulmon sistemin gjyqësor të shtetit të vet. Ajo, sa ishte në opozitë, ka qenë sinonim i personit që ka shkelur ligjet e vendit e s’ka lënë gjyqtar apo prokuror pa e sulmuar. Dhe prandaj është emëruar ministre e drejtësisë që misionin e partisë së vet e që është shkatërrimi i sistemit të drejtësisë, ta çojë deri në fund.
Sa merret me kopalla, ajo është mirë të japë përgjigje se çka ndodhi me rastin Dehari, si u zhduken e si u gjetën mostrat. Çka ndodhi me gjuajtjen e Kuvendit me Zollë nga bashkepartiakët e saj.
Si u përfshinë matrapazët ordinerë në aferën e vjedhjes së miellit e vajit.
Le të merret me Martin Berishaj e Nagip Krasniqin e të mos i marrë në mbrojtje.
Më në fund ajo duhet t’i tregojë popullit të Kosovës, se pse Kryetari i Partisë së saj, sot Kryeministër, nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar, por e sfidon drejtësinë e Shtetit.
Ka shumë përgjigje që duhet të japë kjo ministre, përpara se të merret me propagandë të nivelit të ulët.
Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet hero e luftëtar kundër Serbisë e për lirinë e vendit të vet, të cilin sot e poshtërojnë njerëz si kjo ministre. Përpara se të shpifë për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë, le të merret me lidhjet e shefit të vet e me të shkuarën e tij, për të cilën kanë dalë edhe informata e që përflitet gjithandej.