AAK-ja u bënë thirrje të gjitha partive për votimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike
Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës (AAK) përgjatë një konference të kryesuar nga deputetët e kësaj partie, Albena Reshitaj dhe Arbër Tolaj, iu ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që ta votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Partia në koalicionin qeverisës të legjislaturës së shtatë i ka cilësuar politike veprimet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ka kërkuar kompromis politik nga për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike. Deputeti i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Albelard Tahiri, më herët ka deklaruar se ky fraksion politik nuk do të marrë pjesë në angazhimet e Kuvendit brenda kësaj jave.
Përgjatë ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum që ta dërgojë në shqyrtim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Kundër këtij ligji ka dalë më herët kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, duke thënë se Ligji për rimëkëmbje ekonomike i ardhur në Kuvend nga Qeveria, nuk është i duhuri dhe se nuk do gjejë përkrahje nga partia e tij.